Xhabir Ahmeti, ish-drejtor i Institutit të Trashëgimisë Kulturore
Pyetja: Çfarë prisni nga 2017-ta?
Përgjigjja:
Për fat të keq, duke i pasur parasysh ngjarjet politike që ndodhën në Maqedoni dhe jo vetëm, nuk mund të them se pres gjëra të mëdha. Shenjat janë se do të vazhdojë ky trend, këto lëvizje jo të mira, jo vetëm për ne, por tërë botën. Në Maqedoni do të kemi vështirësi të mëdha, veçanërisht ne shqiptarët. Do të kenë vështirësi ekonomike edhe maqedonasit, ndërsa ata janë me standard më të lartë se ne e ne jemi ekonomikisht të mbështetur për muri. Po tani do të jemi në pozitë më të vështirë politike për një arsye: për shkak se partitë politike shqiptare ende nuk e kanë një platformë të përbashkët për disa pika që janë me rëndësi jetësore për shqiptarët, për ekzistencën tonë, për kulturën tonë, gjuhën tonë. Ata nuk ia dolën t’i artikulojnë jo kërkesat (sepse nuk ka çfarë të na japë askush) por të luftojmë për tonën, të realizojmë atë që na është grabitur, na është marrë dhunshëm. Për të ndryshuar gjendja në të mirë për ne, për t’u arritur një barazi, një harmoni në shoqëri doemos duhet një vendosshmëri e partive politike dhe duhet doemos sa më shpejtë një platformë. Të mos i dëgjojmë vazhdimisht zërat krejtësisht ndryshe dhe polemikat e mërzitshme midis liderëve të partive politike. Kjo është dëshpërim i madh, kjo flet se liderët nuk ulen të punojnë seriozisht por merren me një politikë amatore. Mjaftë më me politikën amatore! Duhet të na hapen dyert për të pasur njerëz që do të jenë të rëndësishëm në ekonomi, arsim, kulturë dhe natyrisht të rëndësishëm në drejtimin e këtij shteti. Nuk duam më të jemi qytetarë të rendit të dytë! Duam të jemi të barabartë.
I dëshiroj rinisë tonë shëndet dhe vendosmëri të mos e braktisë vendin, por të luftojë këtu. Sepse në shtëpinë e vetë mund të bëhen njerëz shumë më të vlefshëm dhe shumë më të realizuar se jashtë. Jashtë vendit mund të fitojnë më shumë materialisht, por gjithmonë do të mbeten të huaj.