Filluan punimet për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Strugë

Sot filluan punimet për ndërtimin e autostradës që lidh Kërçovën me Strugën ndërsa Ohrin me portën e Durrësit . 

Në përurimin e këtyre punimeve, morën pjesë drejtues të lartë të shtetit përfshirë edhe zv/kryeministrin e Maqedonise, Musa Xhaferi. 

 Ai tha se ndërtimi i infrastrukturës rrugore ka rëndësi të veçantë për një shtet modern. 

“Kam një kënaqësi të veçantë, që sot jemi dëshmitarë të realizimit të një projekti madhor respektivisht të fillimit të ndërtimit të autostradës e cila do të lidh Kërçovën, Strugën dhe Ohrin,  me një arterie moderne rrugore”, tha zv.kryeministri i vendit.

Sipas tij, fillimi i ndërtimit të autostradës, vetëm konfirmon përpjekjet dhe vendosmërinë, por  njëkohësisht dëshmohet se premtimet dhe planet qeveritare po realizohen.

Ndërtimi i autostradave të Korridorit 8 është një nga projektet më të mëdha infrastrukturore të cilat janë realizuar në Maqedoni në 50 vitet e fundit. 

“Ky projekt në lartësi prej 900 milion euro, në të cilin është  përfshirë edhe  ndërtimi  i aksit rrugor Burim – Ura e Boshkut si dhe renovimi  e rrugës Mavrovë – Dibër, si pjesë të rrugës së Arbërit, lirisht mund të them se kjo  të jetë  lidhja më e rëndësishme infrastrukturore për këtë pjesë të Republikës së Maqedonisë, për qytetet Kërçovë, Strugë dhe Ohër, për tërë Maqedoninë Perëndimore, por edhe për vendin në përgjithësi”.

Sipas tij, një  përfitim i rëndësishëm që duhet theksuar është se kjo rrugë do të krijojë mundësi të shkëlqyer për lidhjen e Kërçovës – Strugës dhe Ohrit, me portin e Durrësit dhe me këtë të bëhet një ndër arteriet kryesore për transport ndërkombëtarë. 

“Do të përmirësohet lidhja infrastrukturore e rajonit e cila do të sjellë prosperitet për secilin vend që lidhen me Korridorin 8, e cila është një nga rrugët më të rëndësishme dhe ekonomikisht më të kapshme në rajon, e cila bën lidhjen e portit Bari në Itali përmes Shqipërisë dhe Maqedonisë e deri në portet Burgas dhe Varna në Bullgari”, tha Xhaferi.

Ai më tej konsideroi se këto 57 km autostradë do ta përmirësojnë qarkullimin e biznesit mes Maqedonisë dhe rajonit. “Pres që pas 4 vitesh sa do të zgjatë ndërtimi i kësaj autostrade si dhe hapja e zonave të lira ekonomike në këtë pjesë të vendit , të hapen shumë mundësi të reja dhe horizonte të reja të prosperitetit ekonomik  të qytetarëve  të kësaj pjese të Republikës së Maqedonisë”. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe zëvëndëskryeministri i Maqedonisë, i ngarkuar me çështjet evropiane, Fatmir Besimi. 

Ai tha se edhe për pjesën e Strugës, kjo vepër infrastrukturore do të realizohet me kredi të Bankës Evropiane, rreth 40 deri 50 euro, varësisht prej kostove me të cilën do të përfundohet kjo pjesë e korridorit 8.

Ai paralajmëroi se në qershor të këtij viti pritet të fillojë edhe procesi i koncesionimit të dy rrugëve shumë të rëndësishme, asaj Gostivar-Kërçovë dhe Shkup-Bllacë në drejtim të Kosovës. 

Kjo autostradë që nisi sot ka gjatësi prej 56.7 km. Projekti do te realizohet nga kompania kineze “Sajnohidro Coorporation Lmt” dhe do të kushtojë 274 milion euro. 

Kjo autostradë do të ketë nga dy koris në një dretim me gjerësi prej 3.75 metra dhe një koris për ndalje të automjeteve me gjerësi prej 2.5 metrash. 

Midis dy korsive, do të ketë një shirit ndarës me gjerësi prej 3 metrash dhe në të do të lidhen edhe gjashtë rrugë të epërme dhe 13 rrugë të poshtme. Autostrada do të ketë 22 ura dhe një tunel në dy drejtime në brezin malor Preseka me gjatësi prej 1.990 metrash.

Lajme të ngjashme

Back to top button