Nis “Big Brother 7”, ja kush janë banorët në shtëpi

Mbrëmjen e së premtes, në ekranin e Top Channel kanë nisur aventurën në “Big Brother”, banorët e rinj të shtëpisë më të vëzhguar.

Loja e tyre do të zgjasë plot 100 ditë dhe do të mbajë mbërthyer gjithë shqiptarët.

Një hyrje ndryshe në këtë edicion të shtatë. Tetë djemtë kanë zgjedhur tetë vajza, pa ditur se kush ishin, në bazë të një karakteristike, me të cilën ishte identifikuar secila prej tyre.

Ja banoret e Big Brother 7:

Valer: 28 vjeç. Ka lindur në Malësi të Madhe dhe jeton në Koplik. Ka kryer studimet e larta për mjekësi në Tiranë dhe më pas është kthyer sërish në qytezën e tij, ku ka familjen. Është i martuar dhe ka një djalë 2 vjeç.

Prej pak muajsh punon si mjek në zonën e tij. Ka punuar si model dhe fotomodel dhe ka përfaqësuar Shqipërinë para tre vjetësh në Best Model of the World bashkë me të fejuarën e tij. Njëkohësisht në një televizion lokal ka punuar si prezantues. Vazhdon të realizojë foto dhe kalendarë. I pëlqen jeta që bën në malësi dhe dëshiron që nëpërmjet eksperiencës së re, të ketë mundësi të jetë pjesë e botës televizive.

Juliana – 23 vjeçe Ka lindur në Lezhë dhe ka jetuar 17 vjet në Itali, së bashku me familjen. Aty ka mbaruar një shkollë profesionale për parukeri dhe pas kthimit nga Italia, ka punuar një vit parukiere në Lezhë. Vendlindja e saj i pëlqen, por prej dy vjetësh jeton në Tiranë. Këtu ka krijuar miqësi të reja dhe ndihet më e qetë.

Ndërkaq, herë pas here kthehet në qytetin e saj për të takuar të ëmën, e cila, pas divorcit me babanë e Julianës, jeton vetëm në Lezhë. Julianës i pëlqen shumë të bëhet modele dhe famën që do t’i dhurojë shtëpia e “Big Brother Albania 7” do ta shfrytëzojë pikërisht për këtë qëllim.

Erald 24 vjeç

Eshtë nga Durrësi dhe studion në Universitetin e Sporteve në Tiranë, në vitin e fundit. Banon së bashku me familjen dhe punon si instruktor

Ardijana – 34 vjeçe Ka lindur në Gjakovë, në një familje të madhe. Tani jeton në Prizren me mamin dhe dy motrat e saj, ndërkohë që dy motra të tjera të martuara jetojnë po në Kosovë. Muzika është pjesë e pandarë e jetës së saj.

Është natyrë shumë e shoqërueshme dhe të gjithë e njohin në qytetin ku jeton. Por miqtë e saj të vërtetë dhe më të dashur janë kolegët e punës, me të cilët punon dhe kalon pjesën më të madhe të kohës.

Esida – 25 vjeçe Shkollën e mesme e ka kryer në Cërrik, ndërsa të lartën në Tiranë, për Kimi Ushqimore dhe më pas për Juridik. Ka punuar për disa muaj si asistente avokate. Ka një lidhje shumë të fortë me familjen e saj, sidomos me babanë. Ka aftësi shumë të mira komunikuese dhe është natyrë që bën shumë miq. Është natyrë ambicioze dhe në gjendje që të demaskojë këdo që nuk i ofron miqësi të pastër. Natyra e saj e pabindur është bërë shkak që shpeshherë të ndihet e pavendosur, por pavarësisht kësaj, gjatë gjithë këtyre viteve të fundit, të paktën një vendim ka qenë i palëkundur tek Esida: do të ishte me çdo kusht pjesë e shtëpisë së “Big Brother Albania”.

Meridian 30 vjeç
Ka lindur në Shkodër dhe që prej vitit 1995 jeton në Tiranë, së bashku me familjen.
Ka vazhduar studimet e larta për inxhinieri, por gjithmonë i ka pëlqyer që të merret me menaxhimin e lokaleve të ndryshme, në zonën e Bllokut. I adhuron kafshët dhe ka një qen dhe një iguana. Në kohën e lirë i pëlqen të luajë futboll me miqtë e tij.

Ka dëshirë që të jetë i famshëm, prandaj ka vendosur që të hyjë në shtëpinë e Big Brother Albania 7, edhe pse prindërit dhe e fejuara e tij, me të cilën ka tetë vjet lidhje, nuk janë dakord për këtë vendim të tijin.

Mikela 38 vjeç
Jeton në Tiranë dhe ka studiuar për anglisht. Ka punuar për shumë vite në Kosovë dhe pasi është kthyer sërish në Shqipëri, ka punuar në Ministrinë e Integrimit.

Gjatë kësaj kohe ka ndjekur pasionet e saj, alpinizmi, ecja në natyrë, udhëtimet dhe së fundmi joga. Ka vendosur të hyjë në Big Brother Albania 7 duke synuar shpërblimin e madh, por edhe për t’u shkëputur nga telefoni, interneti, jeta e përditshme. ka qenë një sfidë që ka kohë që e mendon dhe më në fund iu dha mundësia që ta shijojë

Daniela 28 vjeç
Eshtë nga Elbasani, por ka jetuar për 16 vjet në Greqi. Ka studiuar për laborante dentare dhe së fundmi studion edhe për juridik. Familja e saj vazhdon të jetojë ende në Greqi. Familja është një pikë mbështetjeje në çdo hap të jetës së saj. Pasditet i kalon me miqtë, duke pirë një gotë verë, duke shkuar në kinema apo në teatër.

Makina i është kthyer në një pasion më vete. Jo vetëm që i shërben si mjet për të lëvizur, por edhe sa herë që ndihet bosh, bën një xhiro me makinë. Për të, kthimi në Shqipëri ka qenë pak i vështirë, por tani është përshtatur më së miri. Të njëjtën gjë shpreson të bëjë edhe brenda shtëpisë së Big Brother Albania 7.

Fatjon 28 vjeç
Ka lindur në Novoselë të Vlorës dhe prej shumë vitesh jeton në Itali bashkë me familjen e tij, ku punon në një zyrë postare.

Nuk i ka shkëputur lidhjet me vendin e lindjes dhe bashkë me familjen kthehen çdo vit në Novoselë, në shtëpinë e tyre, për të kaluar pushimet. Arsyeja që po merr pjesë në Big Brother Albania 7 është sepse i pëlqen shumë ideja që të mund të fitojë një shumë kaq të madhe parash për një kohë kaq të shkurtër.

Nevila20 vjeç
Banon në Tiranë, e vetme, sepse e gjitha jeta e saj ka kaluar në fshatin e fëmijëve SOS dhe më pas në komunitetin rinor.

Ka mbaruar shkollën e mesme për stilim-rrobaqepësi dhe ka punuar si animatore në aktivitetet për fëmijë. I pëlqen shumë bota e fëmijëve, sidomos bota e tyre. Fshati SOS është vendi ku është rritur edukuar dhe përballur me lloj-lloj eksperiencash. Kësaj here ka vendosur që ta zgjedhë dhe ta jetojë vetë sfidën e saj, të hyjë në Big Brother Albania 7.

Andia 24 vjeç
Ka mbaruar Universitetin e Durrësit për Eksperte në Proceset e Formimit dhe jeton me familjen. Motra është pika e saj e dobët. I ati nuk jeton më prej gjashtë vjetësh dhe me të ka pasur një marrëdhënie të veçantë. Përveç shkollës, ka edhe pasione të tjera, një ndër të cilët edhe aktrimi. I pëlqen edhe letërsia, lexon dhe shkruan. Një skenar i shkruar prej saj pret dritën e vënies në skenë. I pëlqen shumë miqësia, të punojë në grup, të ndajë mendime dhe eksperienca.

Esterina 20 vjec
Lindur në Elbasan e rritur në Tiranë nga dy gjyshërit e saj. Ka filluar të punojë që 16 vjeç dhe momentalisht punon në një call center. Ëndrra e saj është që të bëhet modele.

Eksperiencat e para në fushën e modës i ka pasur në Itali. Në Shqipëri punon herë pas here si modele, por sipas saj, është një punë që nuk mund t’i sigurojë jetesën.

Një pjesë e familjes së Esterinës rrjedh nga komuniteti egjiptian dhe shpesh, në familjen e tyre janë rritur me idenë, që nuk janë të aftë të bëjnë asgjë. Por ajo ka filluar të kuptojë, se është e aftë të ndërtojë jetën ashtu siç dëshiron. Po hyn në Big Brother Albania 7 për të provuar atë ndjesi, që vetëm pasarelat mund t’ia japin.

Jona 28 vjeç
Ka lindur dhe jeton në Elbasan me të ëmën. Ka edhe dy motra të tjera, të cilat jetojnë jashtë vendit. Ka mbaruar shkollën për laborante dentare, por nuk e ushtron profesionin për të cilin ka studiuar, sepse ka hapur një biznes të sajin dhe merret me estetikë, modelim thonjsh. I pëlqen shumë të ecë dhe të meditojë. Ka një arsye të veçantë se përse ka vendosur që të hyjë në shtëpinë e Big Brother Albania 7: “Pas dy humbjeve të mëdha të jetës sime, të tretën e dua fitore. Nëpërmjet ekranit do zbuloj karakterin dhe forcën time…”.

Rigels 28 vjeç
Ka lindur në Pogradec. Gjithë fëmijërinë e ka kaluar në vendlindje. Në 1997-ën familja e tij është larguar për në Amerikë. Aty fillimisht ka bërë punë të ndryshme, në ndihmë të familjes, por më pas, për t’iu përshtatur ambientit të ashpër që gjeti aty, u bë pjesë e disa bandave për disa vite me radhë. Pikërisht në momentin kur vendosi që jeta e tij të merrte një kthesë pozitive, problemet me dokumentet e detyruan që të kthehet përsëri në Shqipëri, duke lënë djalin e tij të vogël, i cili tanimë jeton me të ëmën, nga e cila Rigelsi është divorcuar. Tani jeton në Tiranë, punon, falet pesë herë në ditë dhe shkon çdo javë në xhami.

Ardit 26vjeç
Ka lindur në Shkodër. Në vitin 1997 është larguar me familjen në Greqi dhe aty është marrë me menaxhim lokalesh. Të njëjtën punë vazhdoi të bënte edhe pas kthimit nga Italia, fillimisht në Shkodër e tani në Tiranë. Ky që menaxhon së fundmi është i katërti lokal, ku luan edhe si DJ. Edhe pse jeton në Tiranë, kthehet shumë shpesh në Shkodër, ku ka miqtë dhe familjarët. Po hyn në Big Brother Albania 7, që të fitojë njohje, e cila do ta ndihmojë më pas, që të bëhet DJ i famshëm.

Violeta
30 vjeç

Ka lindur në Poloni dhe ka studiuar për stiliste. Në Itali, ku ka jetuar tre vjet, ka punuar si modele. Prej shtatë vjetësh jeton në Shqipëri. I pëlqen shumë jetesa këtu, sepse ka krijuar miq dhe mikesha të mira. Eshtë vajzë e vetme dhe mamaja e saj jeton në Poloni. Babai i ka vdekur. Po hyn në Big Borther Albania 7, pikërisht në kohën kur ka vendosur të marrë disa vendime. Prandaj, pas eksperiencës në shtëpinë e Big Brother Albania 7 dhe pas daljes që andej do të vendosë, nëse do të qëndrojë përgjithmonë në Shqipëri.

Matilda 24 vjeç
Ka lindur në Tiranë dhe është larguar për në Korfuz të Greqisë që në moshën 3 vjeç. Jeton aty bashkë me familjen e saj. Ka mbaruar shkollën për parukiere dhe punon prej disa vitesh në këtë profesion. I pëlqen të kthehet herë pas here në Shqipëri, sidomos në Vlorë, që është edhe vendlindja e babait të saj. Pavarësisht se ka ikur që e vogël, ka shumë nostalgji për vendlindjen, sidomos për gjuhën shqipe.

 

Enkelejd 29 vjeç
Jeta e tij është si një udhëtim i gjatë dhe ka ndalur në stacione të ndryshme. Përveç Shqipërisë, prej nga është larguar që në moshën gjashtë vjeç, ka banuar për vite të tëra në Greqi dhe Itali. E megjithatë, jeta larg vendit nuk ka ndikuar që ta harrojë gjuhën shqipe, të cilën ia ka ushqyer shumë edhe i ati, që e nxiste të lexonte libra shqip. Pasioni i tij i madh është kinemaja. Merret me sporte të ndryshme, si noti, tenisi, biçikleta. Big Brother Albania 7 është për momentin stacioni i tij i fundit.




Lajme të ngjashme

Back to top button