VIDEO nga arrestimi i Bashkim Çollakut

Ministria e Brendshme bëri të ditur se zëvendës shefi i Policisë së Ohrit, 43 vjeçari Bashkim Çollaku është arrestuar nën akuzën, keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Përveç Çollakut policia ka arrestuar edhe dy punonjës të tjerë të policisë të punësuar në vendkalimin kufitar “Qafë Thanë” me dyshimin për përfshirje në trafikim me qenie njerëzore.

Ata do të ngarkohen me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për shkak se në mënyrë antiligjore i mundësonin qëndrim ilegal të disa prostituave dhe kamariereve nëpër disa lokale në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit.  MPB bëri të ditur se arrestimet ndërlidhen me aksionet policore në katër objekte hotelierike apo lokale të natës në rajonin e Tetovës si dhe tre objekte tjera në rajonin e Strugës, për të parandaluar shtetaset e huaja që punonin nëpër lokalet e natës si këngëtare, valltare, por edhe të dyshuara për prostitucion.

MPB theksoi se ngjarja ndërlidhet me aksionin e 20 dhjetorit 2013, kur ndaj pesë vetave të konsideruar si grup kriminal ishin ngritur padi penale për tregti me njerëz, të mitur dhe trafikim emigrantësh të huaj. Në këtë aksion u ndaluan 25 shtetase të huaja, të cilave i`u shqiptua ndalesa për hyrje në Maqedoni.

MPB gjithashtu thekson se, zyrtarët e policisë po organizonin hyrjen e shtetasve të huaja përmes Shqipërisë nga kalimi kufitar Qafë Thanë dhe se në pasaportat e tyre vendoseshin vula për hyrje, edhe pa praninë e disa shtetasve të huaja.

Lajme të ngjashme

Back to top button