BE nis punën për zbatimin e vetingut, jep 90 milionë euro për Shqipërinë, trajnime për luftën ndaj korrupsionit

Vetëm një ditë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi pretendimet e Partisë Demokratike duke zhbllokuar ligjin e vetingut, Bashkimi Evropian nuk ka humbur kohë, por është angazhuar për zbatimin sa më shpejt të tij. BE ka akorduar dje plot 90 milionë euro për Shqipërinë, pjesa më e madhe e të cilave do të përdoren për zbatimin e ligjit të vetingut. Po ashtu me këto fonde parashikohet gjithashtu që të kryhen trajnime të posaçme në luftën kundër korrupsionit, një problem i madh për vendin tonë.

BE vazhdimisht ka bërë thirrje për fillimin e zbatimit të ligjit të vetingut dhe tashmë që ligji u zhbllokua nga Kushtetuesja, nuk ka humbur aspak kohë për të duke u impenjuar në zbatimin e tij. Në fakt mbështetje financiare e BE në lidhje me financimin e reformës në drejtësi ka qenë e vazhdueshme që në momentin e fillimit të hartimit të reformës. Ligji për vetingun, i cili parashikon kontrollin e gjyqtarëve, konsiderohet më i rëndësishmi reformës në drejtësi, por krahas tij një pjesë e parave ta akorduara pritet të shkojnë gjithashtu si për trajnimin ashtu edhe për ngritjen e institucioneve që do të ndihmojnë në zbatimin e ligjit të vetingut, transmeton Agjensia e Lajmeve Sot News.

BE ka apeluar vazhdimisht në përmbushjen e kushteve dhe kritereve për anëtarësim dhe një ndër më të rëndësishmit është pikërisht zbatimi i ligjit të vetingut dhe lufta ndaj korrupsionit. Kjo u konfirmua në mbledhjen e ministrave të Jashtëm që u zhvillua pak javë më parë. Pikërisht për të nxitur plotësimin e këtyre kritereve, BE është angazhuar maksimalisht duke ndihmuar me 90 milionë euro. “Komisioni Evropian sapo miratoi Programin 2016 për Shqipërinë me një grant prej 89.7 milionë euro për ta mbështetur vendin në udhën e tij drejt anëtarësimit në BE. Programi ndjek politikën e zgjerimit “në fillim parimet” duke u fokusuar në fushat e shtetit ligjor, të drejtave themelore, qeverisjes së mire, zhvillimit ekonomik dhe konkurrencës. Ai mbështetet në programet 2014 dhe 2015 në kuadrin e Instrumentit për Asistencën Para-Anëtarësim (IPA II), që arrin në një total prej 649.4 milionë Euro për Shqipërinë gjatë periudhës 2014-2020.

Programi mbështet në mënyrë specifike zbatimin e strategjisë së Shqipërisë për luftën kundër korrupsionit dhe reformën e gjyqësorit, duke vazhduar programin e tij të asistencës teknike EURALIUS”, thuhet në faqen zyrtare në internet të Komisionit Evropian.

Mbështetja e sektorëve të tjerë

Gjithashtu, një pjesë e fondit të BE do të përdoret edhe në sektorë të tjerë ku nevojitet progres në rrugën e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Programi mbështet gjithashtu sektorin e transportit, me fokus te mirëmbajtja e rrugëve për të siguruar efikasitetin në planifikimin dhe shpenzimin e burimeve publike. “Gjithashtu, do të sigurohet mbështetje për sektorin e mjedisit me fokus te zbatimi i strategjisë për furnizimin me ujë dhe ujërat e zeza, si dhe te bujqësia dhe zhvillimi rural, veçanërisht për zhvillimin e një kadastre të truallit dhe përmirësimin e sigurisë së ushqimit dhe standardeve veterinare dhe fitosanitare, duke pasur parasysh forcimin e eksporteve agro-ushqimore, si dhe sektorin e peshkimit. Kjo do të kontribuojë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, duke krijuar më shumë vende pune dhe prosperitet për gjithë qytetarët e saj. Veç kësaj, do të sigurohet asistencë financiare për shoqërinë civile dhe për mbështetjen e pjesëmarrjes së Shqipërisë në programet dhe agjencitë e Bashkimit Evropian, si “Erasmus+”, “Horizon 2020” dhe “Creative Europe”, në dobi të drejtpërdrejtë të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evroipian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button