DREJT EPISTOKRACISË

“Lavdia fitohet, nderi ruhet!”

Schopenhauer

Të mërkurën e kaluar, 14 dhjetor, ishim të nderuar me pjesëmarrjen në eventin “Politika dhe shoqëria në skanerin e prof. Servet Pëllumbi në 80 vjetorin e lindjes”, të mbajtur në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në një përbërje elitare të shkencës shqiptare nga të gjitha trojet, përfshirë edhe diasporën, Australia, Vjena, shoqëruar me figura të rëndësishme të shkencës, politikës, diplomacisë shqiptare si Muzafer Korkuti, Alfred Moisiu, Paskal Milo etj. Qëllimi i kësaj konference shkencore dhe jubilare ishte shënimi i një date të rëndësishme të filozofisë dhe shoqërisë shqiptare, tetë dekada nga lindja e një figure madhore të ligjëratës diturore që lë gjurmë të thella në analet e shkencës dhe politikës (me rreth 20 vepra), në veçanti të politikbëries me bazë etikë, mbiquajtur nga ai me një neologjizëm, etikokracia, sundimi, qeverisja, menaxhimi me baza etike, term të cilin nuk e gjejmë në asnjë gjuhë tjetër. Detyrë jona në këtë takim ishte zbërthimi i kumtesës me temës “Etika dhe pushteti i saj në mendimin e prof. Servet Pëllumbi (me referencë të veçantë “Etikokracia” & “Edhe politika do moral”). Ndonëse kemi pikëpamje dhe botëkuptime të ndryshme nga prof. Pëllumbi me kënaqësi bashkëbisedojmë një kohë të gjatë me veprat e tij dhe i jemi shumë falënderues për kontributin e dhënë në fjalorin tonë të sociologjisë, vazhdimisht përfitojmë nga shkrimet e tij të thella rreth dukurive shoqërore dhe problemeve me të cilat përballemi si komunitet gjithandej, regjistrojmë dhe zbërthejmë opinionet e tij rreth një teme shumë deficitare akademikisht ndër ne, morali dhe etika, i shfrytëzojmë ato edhe me studentët tanë. Dy veprat e përmendura dhe Demokracia dhe morali përbëjnë tekste burimore rreth raportit mes artit të politikës dhe vlerave të mirësjelljes, politikës dhe kulturës e bontonit në qeverisje, relacione këto të prishura në kontekstin real në kohët kur mbizotërojnë antivlerat, kur në politikë kemi ngritje të figurave negative, të ekstremistëve, të të korruptuarve, të injorantëve, të mikrobëve…  Mu në këtë kohë, kemi nevojë për etikë qytetare jo rrugaçërore (78), për lidership etik dhe profesional kundër parapolitikës (hiles, punëve të fshehta dhe mashtrimit) siç thotë Pëllumbi, apo siç përmendi ambasadori Sabri Kiçmari kemi nevojë për ndërtimin e epistokracisë, për krijimin e rrethanave për sundimi të të diturve, për konceptin kantian të jetës. Tek Edhe politika do moral, tek e cila do të përqendrohemi në këtë shkrim, laureati duke cituar La Fontaine-in nënvizon rëndësinë e dijes dhe sndimit të saj: “Lëreni paditurinë le të flasë si të dojë, dituria ka vlerat e veta (33). Ai thekson se ndër ne shqiptarët, si të vonuar në sofrën e historisë, politika më e mirë është politika e moralshme që na shpie nga demokracia formale në atë funksionale, nga demokracia problematike te një demokraci normale e funksionuese (48). Për kapur trenin e kombeve të përparuara duhet ta shmangim nga teatri jonë njeriun që vendos kalin pas karrocës, njeriune paprincip (Bezhani), duhet të përpunojmë një sistem të ri vlerash, duhet të evitojmë politikën  me grindje shterpë e konflikte rrënuese midis protagonistësh që e quajnë veten të pagabueshëm dhe të përjetshëm në politikë. Vendin e sherreve duhet ta zë politika me ide e moral të shëndoshë, “që përfshin dialogun, marrëveshjet dhe kompromiset e bazuara mbi të mirën e përbashkët, mbi interesat kombëtare, stabilitetin demokratik dhe mirëqenien e qytetarëve.” (6) Pëllumbi kumton se populli nuk e ha më sapunin për djathë, se s’kemi nevojë për politikanë që të mbysin në fjalime, që i shesin njerëzit, që janë të pabesë, që ngrefosen, që veprojnë të solidarizuar në interesa, që tallen me institucioet, që marrin vendime darkave e drekave të cilat po zëvendësojnë dialogun institucional. (18) Ai është kundër pronësimit të lëvizjes studentore që theu komunizmin nga një parti (PD-ja), siç ndodh tek ne në relacionin UÇK-BDI. Njerëz vetëkorrigjues dhe që korrigjojnë gabimet e të tjerëve na duhen – thotë ai – se nga njerëz që dinë të korrigjojnë nuk mund të pritet  asnjë e keqe. Ai është kundër çoroditjes intelektuale, kundër monomanisë, është për çmitizimin e njëshave (liderëve), për zhvillim të demokracisë së brendshme, për debate që na shpien drejt Europës së vlerave, për një shoqëri ku ka mundësi për të gjithë dhe përgjegjësi nga të gjithë. Neve na nevojitet një lëvizje e mirëfilltë intelektuale, një lëvizje e re mendore që do të përpunojë e kultivojë një filozofi e etikë kombëtare. Kjo nuk arrihet me gjendjen e tashme alergjike ndaj teorisë, filozofisë dhe njerëzve të shkencës. (72) Ai është për një kulturë të re të konfliktit dhe të kritikës, për konkurrencë të alternativave, të koncepteve, ideve dhe vlerave, është kundër infektimeve nga “shpirti negativist”, nihlist. (189) S’ka hajër nga protagonistët e politikës që shprehen në vijën: “Unë i mirë, ti i keq. Unë europian, ti burundas!” (Tek ne: euro-aziatik, oriental), nga “liderët e fortë” që s’pyesin kërkënd (219), që ushtrojnë dhunë verbale (dhe më tepër), nga politikanët mobilë, që s’kanë asgjë të qëndrueshme, që s’kanë parime, në kuptimin “sot jame me ty, nesër mund të jem kundër teje”,  nga deputetët mobilë, minisitrat mobilë, nga partitë që frymëzuar nga aria e famshme e operës së famshme “Triviata – La Dona Mobile”, mund të quhen bishtpërdredhur. Sa bukur profesori e ka rrokur Kritilin, duke e ndërlidhur atë me realitetin tonë: “Nëse të ftoj të vish nesër për drekë, unë nuk ndiej ndonjë përgjegjësi të të pres, sepse ndërkohë kam ndryshuar, jam bërë tjetër!” (258) Të tillët hiletë i vendosin para rregullave, boshllëkun, monotoninë dhe mbylljen para hapjes dhe impulsit rishikues (Kierkegaard). Të tillët kaplohen nga makutëria, poshtërsia, janë më të zi se zia! Profili i politikanit pëllumbian është ai që gërmon drejt së vërtetës, që është profesionist, që sillet sipas parimit pactum sunt servando (marrëveshjet duhet të nderohen), që nuk bën sacrificum intelectus (që nuk heq dorë nga arsyeja). Ai është kundër fondamentalistëve të Perëndimit, kundër qarqeve intelektuale orientalizuese si soji i Falaçit dhe shumë “shkollarëve” shqiptarë që janë pre e verbërisë ideologjike, që kërkojnë “armikun absolut”, që myslimanët i shikojnë si armiq, antivlerë, antikulturë, të pacivilizuar – [56], që e paraqesin veten si “mishërim i vlerave perëndimore”. Ai tërthorazi kritikon edhe politikën globale të bazuar në maninë e formulës “ose ose”, pra “ose me ne ose kundër nesh”, duke afirmuar tezën për modernitetin fluid (Bauman).

Shkurt, Prof. Pëllumbi është nga të rrallët që me sukses bashkoi katedrën universitare me kolltukun e politikës, duke ruajtur imazhin e politikanit të ndershëm, andaj meriton çdo respekt, meriton të perceptohet si refleksion i të vërtetës se edhe në politikë ka moral, si shembull i epistokracisë dhe etikokracisë. Ta përmbyllim me fjalët e një ish-studenti të tij korçar: Kur ishim studentë, dëshironim t’i ngjanim për kulturën, etikën, mençurinë dhe, mbi të gjitha për fisnikërinë e një njeriu të qytetëruar.” (80)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button