Ali Ahmeti u takua me presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani mbrëmë e priti kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, me të cilin bisedoi kryesisht për procesin zgjedhor në Maqedoni dhe rezultatet e partive politike shqiptare.

Nishani, pasi e uroi Ahmetin për fitoren e subjektit të tij politik në zgjedhje, vlerësoi angazhimin dhe kontributin e të gjitha subjekteve politike shqiptare në procesin zgjedhor, si dhe në proceset demokratizuese dhe integruese të Maqedonisë.

Kreu i Shtetit shqiptar nënvizoi prioritetin që Shqipëria u jep marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe partneritetit me Maqedoninë duke theksuar rëndësinë që ka garantimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, si një komponent shtetformues dhe garantues i stabilitetit atje.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se proceset e integrimit euro-atlantik janë thelbësore dhe përfaqësojnë interesin më madhor të të dyja vendeve, por edhe të rajonit në tërësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button