Prokuroria: Është bastisur shtëpia e eprorit të SPB Kumanovë, s’ka pasur urdhër për arrestimin e tij

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, deklaroi se mbrëmë në kuadër të procedurës parahetimore që po kryhet nga ana e kësaj prokurorie, është kryer bastisje në shtëpinë e personit Stojançe Veliçkoviç, nga Kumanova, por jo edhe aktivitete për arrestimin e tij, njofton Portalb.

Urdhri për bastisje është dhënë nga ana e gjykatësit në procedurë parahetimore, nga Departamenti për Krim të Organizuar dhe Korrupsion të Gjykatës Themelore Shkupi 1.

“E gjithë bastisja ishte për arsye të gjetjes së gjurmëve për veprën penale ose lëndëve të cilat janë të rëndësishme për procedurën penale dhe marrjen e tyre. Janë marrë lëndët që përmbajnë të dhëna në formë të shkruar dhe elektronike, në lidhje me veprën penale – shoqëri kriminele dhe keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar nga Kodi Penal, por edhe tjera vepra penale për të cilat po ndiqet sipas detyrës zyrtare”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë.

Duke i pasur parasysh, informatat e plasuara në mediat në lidhje me veprimin e ndërmarrë, thuhet në kumtesën e Prokurorisë, veçmas të informatave se duhej të arrestohet personi S.V., Prokuroria Themelore e informon opinionin se veprimet e ndërmarra kanë qenë  në përputhshmëri me urdhrin gjyqësor, dhe i njëjti ka qenë vetëm për bastisje, jo edhe për arrestim të personit.

Përndryshe, dje, derisa ka zgjatur bastisja në shtëpinë e eprorit të Sektorit për Punë të Brendshme të Kumanovës, një grup i qytetarëve të Kumanovës nëpërmjet rrjeteve sociale janë mbledhur, dhe kanë dalë, përpara shtëpisë së tij, që t’i shprehin mbështetje eprorit Stojançe Veliçkoviç, ndërkaq më pas ai u është drejtuar atyre dhe u ka bërë thirrje që të largohen. Qytetarët pas thirrjes së eprorit janë larguar nga vendi i ngjarjes. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button