Kushtrim Lika zyrtarisht me licencë të FIFA-s
Arbitri shqiptar nga Kërçova, Kushtrim Lika tani më zyrtarisht ka marrë emblemën e FIFA-s. Këtë e ka thënë vet arbitri për Portalb.mk, duke njoftuar që ditë më parë në adresë të tij ka ardhur shkresa nga FIFA që Lika do të mundë të jetë arbitër në ndeshje ndërkombëtare.
“Unë jam arbitri i parë shqiptar nga Kërçova dhe rrethin qe jam dekoruar me këtë emblemë të FIFA-s dhe kjo sigurisht mund të jetë një shtytës i mirë që gjeneratat e reja të fillojnë të merren edhe me referim. Sigurisht se kjo është një e arritur shumë e madhe për mua, sepse deri këtu është edhe kulmi i karrierës së një arbitri që pretendon të arrij sa më lart. Sa i përket se me cilin ekip do të referoj, ajo nuk do varet nga unë, po nga vet delegimi i FIFA-s, sepse ata i caktojnë se me cilin do jesh në grup. Ne Maqedoni jemi 9 arbitra me emblemë të FIFA-s nga meshkujt”, ka thënë për Portalb, Kushtrim Lika.
Sipas informacioneve që kemi marrë, besohet se që nga marsi i vitit 2017 pritet që Kushtrim Lika të bëjë debutimin në ndonjë ndeshje ndërkombëtare, kur edhe do ta delegojë FIFA.
Të përkujtojmë se Kushtrim Lika është arbitër me licencë për Ligën e parë futbollistike dhe madje posedon licencë edhe për referim në futboll në sallë, ndërsa tani me marrjen e emblemës nga FIFA, ai kurorëzon suksesin e tij të madh në sport. /Portalb.mk/