Trump mohon pretendimet e CIA

Agjencia Qëndrore e Inteligjencës pretendon se shteti rus ka gisht në zgjedhjen e Trump president i ShBA-së, përmes hakerave që kanë manipuluar në mënyra të ndryshme fushatën dhe zgjedhjen

Ekipi i Donald Trump e ka hedhur poshtë raportin e CIA-s, sipas të cilit Rusia është e përfshirë në vjedhjen e emaileve të demokratëve me qëllimin të shtonte mundësitë e fitores së republikanit në zgjedhjet presidenciale, transmeton Zëri.

“Këta janë të njëjtët njerëz që deklaruan se Sadam Huseini kishte armë të shkatërrimit në masë”, thanë ndihmësit e Presidentit të zgjedhur. Edhe rusët vetë nga ana tjetër nuk i kanë pranuar asnjëherë akuzat e hakërimit.

Të premten, Presidenti Barack Obama urdhëroi nisjen e një hetimi mbi një seri sulmesh kibernetike gjatë fushatës zgjedhore në Shtetet e Bashkuara, përgjegjësia e të cilave i vishet Moskës. Shënjestra e këtyre sulmeve ishte Partia Demokrate dhe një drejtues i fushatës së kandidates presidenciale, Hillary Clinton, John Podesta.

Zyrtarë të lartë të administratës amerikane thanë për New York Times se janë të bindur që hakerat rusë kanë mundur të hyjnë edhe në sistemin kompjuterik të Komitetit Kombëtar Republikan, por informacionet e përftuara prej rrjeteve republikane ata nuk i kanë publikuar.

Agjencitë e inteligjencës shprehen se rusët pas kësaj ja kanë kaluar dokumentet e demokratëve platformës Wikileaks, e cila u kujdes që ato sekrete t’i mësonin të gjithë.

Washington Post shkruan se inteligjenca amerikane ka identifikuar individë të lidhur me qeverinë ruse, të cilët i ofruan të dhënat Wikileaksit, e kujton gjithashtu sesi Trump inkurajoi gjatë fushatës Moskën që të gjejë emailet e Clintonit, ndonëse më vonë u shpreh se ajo ishte thjesht sarkazëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button