Etiologjia e antikulturës politike

Të fillojmë nga e para, etilogjia: αἰτία, aitia, “shkak” dhe -λογία, -logia, orakull (prej nga rrjedh edhe logos, shkencë), fjalë që më së tepërmi përdoret në teoritë mjekësore dhe filozofike që i referohet studimit të asaj se pse gjërat ndodhin siç ndodhin, që ka të bëjë me analizën e shkaqeve të fenomeneve të ndryshme. Në këtë shkrim do të flasim për një çështje aktuale ndër ne në kohën e zgjedhjeve 2016. Antikultura nënkupton një kulturë kundër kulturës tjetër, në këtë rast kemi të bëjmë me “kulturën” e vandalizmit, të violencës, të kërcënimeve që janë kah na bëhen pjesë frymës tonë si entitet që synon vlerat edhe atë të demokracive më të avancuara, ku fjala e lirë është e shenjtë, ku çmohet mendimi ndryshe, ku kritika është gjëja më ordinare, më e natyrshme e kodit publik. Pra, ditëve të fundit diskursi i dhunës është bërë pjesë e komunikimit politik, në veçanti te dinosaurët politikë që hamendësojnë se statizmi është ligj i politikbëries, që e shohin veten e eternalë e palëkundshëm, si të paprekshëm, e të pakritikueshëm madje edhe kur flasin dokrra dhe gjëra që s’përkojnë as me realitetin, as me ligjet e logjikës në përgjithësi dhe të asaj politike në veçanti.

“Të mëdhenjtë” e politikës shqiptare në Maqedoni, me përjashtime të caktuara, ia kanë dalë ta heshtin korin akademik, kanë krijuar një klimë të poltronizmit kolektiv të inteligjencies, e cila është e heshtur, e shtangur dhe nuk bëzanë dhe s’guxon të thotë se “mbreti është lakuriq”. Zgjodhëm politikanë të lirisë, na dolën të kërcënimeve e të shantazheve, të përçmimit e të diktaturës, të mendësisë moniste që s’tolerojnë divergjenca e oponencë. Nëse bëjmë një analizë të përmbajtjes së fjalorit politik të pushtetarëve tanë do vërejmë se kalojnë fjalë si  djegia, kalitja, vullkani, tërmeti, uragani, furtuna, stuhia e të ngjashme që shënjojnë pra gjendje të jashtëzakonshme, procese dhe dukuri natyrore me pasoja nga më të voglat deri te tragjeditë. Ata kërkojnë që t’u themi “amin” edhe kur tregtojnë politikë përmes religjionit të keqkuptuar dhe keqinterpretuar nga ata për shkak të distancës që kanë me vlerat e veta autentike, me ato shpirtërore, të cilat i konsiderojnë si dekor të çastit e jo si një nga shtyllat e identitet-ndërtimit, siç ndodh gjithkund në botë, madje edhe në kulturat laike (p.sh. identiteti i Europës dhe judeo-kristianizmi). Ata na mësojnë rrugën e kthimit te trungu kombëtar duke harruar rrugëtimin historik dhe qytetërimor të shqiptarëve, duke harruar dinamikat sociologjike që sot flasin për një shkallë të lartë religjioziteti, duke lançuar teza të rrezikshme të huazuara nga Njegoshi si “i turqizuari është më i rrezikshëm se turku” (në origjinal: Poturica je gori od Turčina), pra duke u vetëfyer, duke prekur në sedër popullin i cili e di fort mirë se çka është dhe kush është, i cili s’ka probleme me identitetin e vet kombëtar dhe fetar. Në fund të fundit s’janë fajtorë shqiptarët myslimanë që dikush ka zgjdhur sllavizimin si kartë fitimtare në 60 vitet e fundit të historisë, që ka shfrytëzuar të gjitha benefitet dhe tani rikthehet në shqiptarizëm me një pompozitet me brendësi boshe (numrat flasin vetë). Ky lidership i stresuar tejmase, shtron edhe teza politologjike si dysia euro-atlantizmi, euro-aziatizmi, duke bërë taborrizimin dhe parcializimin e trungut shqiptar këtu, duke tentuar të afrojë apo ta bëjë simpatik veten te faktori ndërkombëtar me teori të etiketimit të konkurrentëve politikë, me teza të orientalizimit (Edward Said) të tjetrit apo të të ndryshmit ideologjikisht. Një tendencë tjetër irrituese e subjektit politik shqiptar në pushtet është shkurtimi i historisë së një universiteti legjendar, të UT-së, paraqitja e ti si i lindur në vitin 2004, kurse edhe foshnjat në djep e dinë se ai është themeluar në vitin 1994. Edhe aty kërkojnë duartrokitje. Edhe për autostradat e paqena, edhe për fabrikat dhe mijëra vendet e punës imagjinare kërkojnë “aprovim” nga të gjithë, sepse ata janë “Zëri i popullit”. Për librat në të cilat fëmijët tanë tëhuajësohen përmes emrave sllavë si Riste, Ivanka, Jovan, Sime, Millka dhe për 1000 titujt e skandalizuar në aspekt të përkthimit gjithashtu duan të themi “shkëlqyeshëm”. Aktorët tanë të politikës kërkojnë qetësi, heshtje vdekjeje, vasalitet intelektual, servilizëm akademik. Duan të venë regjim mendimi, dietë intelektuale, kornizim të ideve, kontroll mbi botën e kulturës fjalësore e shkrimore. Andaj për ata që bëjnë gjimnastikë të lirë intelektuale përgatisin kërcënimtarë që do t’i trembin, do t’i bëjnë të dëgjueshëm dhe pjesë të klubit të heshtakëve. Kjo është vetë antikultura politike, është një formë e degradimit kolektiv, sepse po s’folën intelektualët, pos s’qe aktive elita shkollare në atë vend s’jetohet, s’ka gjë prej gjëje, gjithçka shkon mbrapsht. Cilat janë shkaqet e kësaj antikulture: pasiguria në vetëvete, mosgatishmëria për dialog social edhe me ata që s’mendojnë si “ikona”, edhe me ata që botën e shohin me syze të tjera, objektive, mplakja dhe kriza në të cilën gjenden, mungesa e moralit politik… Ne nga politika nuk kërkojmë asgjë më tepër se sa liria e shprehjes, liria e fjalës, kërkojmë që ata të bëjnë punën si duhet në qeverisje, gjë pas të cilës poetët socialë me të drejtë do të thurin elozhe. Kërcënimi dhe mbjellja e frikës nuk janë metoda të epokës globale, të mileniumit të tretë, nuk sjellin produktivitet por vetëm letargji e dekadencë. Ta përmbyllim me një rrëfim për Lekën e Madh dhe Diogjenin. Kur Leka vajti te ky i fundit i ishte drejtuar me fjalët: “Kërko çfarë të duash dhe unë do ta plotësoj.” Diogjeni ia kishte kthyer: “Vetëm m’u largo nga dielli.” Kujtoj se mesazhi është i qartë: Na lini të bëjmë punën intelektuale duke shfrytëzuar aftësitë e të arsyetuarit kritik dhe të shprehurit lirshëm, sepse vetëm ashtu do t’i shmangemi fasadës së të menduarit dhe gjendjes së “shoqërisë pa kulturë”. Ne kemi nevojë për shpjegime dhe për transformim të shoqërisë duke u bazuar në vizionin se politikbëria është shumë më tepër proces intelektual sesa një proces politik (Tarifa, 2016: 74). Intelektualizimi i politikës, kjo është rruga drejt kulturës politike të shekullit XXI.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button