Klanet politike kënaqen me diferencat, qytetarët vuajnë

Dita ndërkombëtare për drejtësi social, aktualizon nevojën e përpjekjeve thelbësore kundër varfërisë, papunësisë dhe margjinalizimit shoqëror. Aktualizimi i këtyre përpjekjeve kundër padrejtësive sociale, ka hasur në rezistencën e fuqishme të pushtetit në Maqedoni. Metodat e heshtjes konsiderohen masat korruptive ndaj individëve apo klaneve politike deri tek masat më agresive siç ishte rasti më i fundit i përdorimit të forcës kundër punëtorëve të falimentuar, para ndërtesës së Qeverisë. 

Lëvizja majtiste, “Solidarnost”, ngrenë zërin kundër padrejtësive sociale si, ndarja jo e drejtë e pasurive shtetërore dhe të dhënave shqetësuese se Maqedonia ka shtresimin klasorë më të madh në Evropë.

Profesori universitar, Musa Musai, thotë se një ndër burimet e padrejtësive sociale është neglizhenca e institucioneve ndaj kategorive të ndryshme sociale. Sipas tij shteti krijon mekanizmin e  konformizmit, sa më i dëgjueshëm aq më i mirë.

“Mendoj se sistemi aktual duke shfrytëzuar papunësinë, gjeneron padrejtësi sociale në forma të ndryshme, duke e trajtuar në radhë të parë vetë punëtorin si një qenie e cila duhet të dëgjojë, duhet të marr urdhra, faktikisht e trajton atë sikur të jetë një qenie pa emocione”, thotë Musa Musai.

Musai, thotë se duhet ndryshuar qasjen e organizmave ndaj cilësdo kategori sociale. Sipas tij një prej fenomeneve është edhe mos informimi për të drejtat e qytetarëve.

“Shoh tendencën për të sajuar ose për të fsheh disa realitete, nga vetë institucionet”, thotë Musai.

Ai thotë se institucionet mbyllin sytë ndaj padrejtësive sociale, duke mos e kthyer kontributin e qytetarëve ndaj shtetit me shërbimet që u nevojitet qytetarëve.

Ata që ndjenë më së shumti barrën e padrejtësive sociale, janë qytetarët. Në ditën ndërkombëtare të luftës kundër padrejtësive, Portalb, sjell opinionin e qytetarëve mbi këtë kategori.

Diferencat për drejtësinë dhe padrejtësinë sociale janë të qarta, askund nuk e dëgjonë fjalën drejtësi. Evzal Memedi, thotë se padrejtësia e përcjellë që nga dalja e shtëpisë. “Askush nuk ka hallin e varfërisë në rritje. Ky shtet mendon se supet e qytetarit të thjesht mund të mbajnë gjithçka”, thotë Evzali.

Një qytetarë tjetër nga Tetova, Emin Hajrullai, punëtorë disa vjeçar në fabrikën e Tekstili, tani tepricë teknologjike, thotë se politikanët dhe të afërmit e tyre kanë uzurpuar çështjen e drejtësisë. Sipas tij e drejtë sociale është pasurimi i pafund i politikanëve dhe detyrimi i qytetarit të thjeshtë për të shprazur edhe dinarin e fundit nga xhepat e tij.

Lajme të ngjashme

Back to top button