RMV, fëmijët lypsar në mëshirë të fatit, qendrat mobile për këtë çështje pa fond të posaçëm

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, problemi i fëmijëve, të cilët kanë familje, por qëndrojnë rrugëve, vazhdon të mbetet çështje aktuale. Çdo ditë jemi dëshmitarë të numrit të madh të fëmijëve që janë të pranishëm në rrugë edhe në kushtet më të pafavorshme të motit. Ata shpesh shesin sende të vogla, fshijnë xhamat e makinave, lypin në rrugëve ku ka frekuencë të madhe trafiku, duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe të të tjerëve. Ata jo rrallë herë janë pre e trafikimit, si dhe bëjnë edhe punë të tjera, si grumbullimi i hekurishteve, ushqimeve ose rrobave të vjetra nga kontejnerët e mbeturinave, shkruan Portalb.mk.

Portalb.mk, pyeti MPB-në se sa denoncime janë bërë për veprën “lypje”, nga ku deklaruan se:

“Gjatë vitit 2022 janë paraqitur gjithsej 127 kërkesa për ngritjen e kallëzimit për kundërvajtje për veprën “lypje” nga Ligji për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike”.

Autoritetet dhe shoqëria civile vazhdojnë të shprehin shqetësimin se disa agjencive qeveritare u mungojnë mekanizmat koordinues në drejtim të identifikimit proaktiv të viktimave, thuhet në Raportin e vitit 2022 për tregti me njerëz të ambasadës së ShBA-së në Maqedoninë e Veriut.

MPPS-ja është e vetëdijshme për këtë problematikë dhe madje këtë çështje e trajton përmes “Protokollit për bashkëpunim ndërsektorial për trajtimin e fëmijëve të rrugës“.

Qëllimi i protokollit është përmirësimi i mënyrës së trajtimit të fëmijëve në rrugë, nëpërmjet një qasjeje të unifikuar, multidisiplinare dhe ndërsektoriale me qëllim të ofrimit të ndihmës, mbështetjes dhe mbrojtjes së fëmijëve dhe përfshirjes së tyre në shoqëri për të arritur interesat më të mira të fëmijë.

Në të tilla raste, sipas protokollit në fjalë, nëse merret informacion se fëmija kalon kohë në rrugë duke lypur ose në aktivitete të ngjashme, menjëherë njoftohet Qendra kompetente për Punë Sociale.

Foto ilustrim: The Humantra/Pexels
Raportimi i rasteve të fëmijëve në rrugë

Denoncimi për fëmijë në rrugë bëhet në stacionin policor më të afërt ose në numrin 192 ose në qendrën kompetente për punë sociale. Autoriteti kompetent që ka marrë raportin duhet të mbledhë informacionin bazë për gjendjen në të cilën është vëzhguar fëmija, përkatësisht:

  • Adresa ose identifikimi më i afërt i vendit ku është parë fëmija;
  • Gjendja e fëmijës (mosha, pamja e jashtme – përshkrimi i rrobave dhe këpucëve që vesh dhe të dhëna të tjera karakteristike që lidhen me pamjen fizike të fëmijës;
  •  Sjellje karakteristike ose rrethana të tjera në të cilat është gjetur fëmija;
  • nëse fëmija është vetëm ose në prani të një të rrituri;
  • rrethana të tjera që ai i konsideron mund të jenë të rëndësishme për vlerësimin e veprimeve të mëtejshme.

Qendra për Punë Sociale kryen ose duhet të kryej punën e saj profesionale në hartimin dhe identifikimin e fëmijëve në rrugë:

  • përmes punës në terren.
  • me kërkesë të institucioneve, organizatave apo qytetarëve kompetentë.

Kur dihet identiteti i fëmijës dhe i prindërve të tij, Qendra për Punë Sociale bën një vlerësim fillestar për të përcaktuar gjendjen aktuale në familje, shkallën e rrezikut të kthimit të fëmijës në familje dhe arsyet pse fëmija ndodhet në rrugë.

Megjithatë, edhe pse ekziston ky protokoll dhe puna në terren, sërish ka fëmijë që enden rrugëve, madje në çdo cep. Për këtë ekzistojnë disa arsye edhe atë:

  • Ose mungesa e vërtetë e punës në terren, pasi zbulimi i këtyre rasteve nuk kërkon ndonjë hulumtim të madh
  • Ose vetë Ministria nuk i kushton rëndësi vërtetë të madhe këtyre rasteve
  • Ose, institucionet tjera nuk bashkëpunojnë sa duhet për t’i çuar rastet deri në fund, dhe arsye të tjera.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në bashkëpunim me Qendrën Ndërkomunale për Punë Sociale – Shkup, Kryqin e Kuq dhe UNICEF-in ka përforcuar aktivitetet për punë me fëmijët e rrugës. Për këtë janë zhvilluar trajnime të personave profesionalë (punonjës social, pedagogë dhe defektologë) punojnë me fëmijët e rrugës që t’u sigurohet mbrojtje adekuate.

Në këtë mënyrë Qendra për Punë Sociale ka përforcuar ekipet mobile që do kryejnë mapimin e lokacioneve më frekuentuese që ka fëmijë lypsarë, ndërsa anëtarët e rritur do t’i aktivizojnë si kërkues aktiv të punës  dhe do të punojnë në inkuadrimin e tyre në masat për rikualifikim dhe kualifikim shtesë.

“Raporti për tregti me njerëz” i ambasadës së ShBA-së: RMV nuk i kanë përmbushur plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore

Në raportin e ambasadës së ShBA-së thuhet se аutoritetet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë përmbushur plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore, por kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për ta arritur këtë. Duke pasur parasysh ndikimin e pandemisë COVID-19 në kapacitetin e saj kundër trafikimit, autoritetet në përgjithësi demonstruan përpjekje të shtuara në krahasim me periudhën e mbuluar nga raporti paraprak; prandaj Maqedonia e Veriut mbeti në nivelin 2.

“Këto përpjekje përfshijnë ndjekjen penale të shumë personave të akuzuar dhe aplikimin e qasjeve të përqendruara te viktima për të reduktuar ri-traumatizimin e fëmijëve viktima. Autoritetet identifikuan dukshëm më shumë viktima dhe demonstruan përpjekje të përgjithshme të shtuara parandaluese, të tilla si miratimi i Strategjisë Kombëtare dhe Planit Kombëtar aksional për 2021-2025, dhe mbledhja e komenteve dhe rekomandimeve nga të mbijetuarat e trafikimit si pjesë e punës së saj të parandaluar trafikimit të qenieve njerëzore”, thuhet në raport.

Mirëpo, edhe pse MPPS, pretendon se ka përforcuar punën e saj me ekipet mobile, raporti thekson se  megjithatë, qëndrueshmëria e tyre është ende e diskutueshme duke pasur parasysh se autoritetet ende nuk kanë caktuar fonde posaçërisht për ekipet mobile.

Nga gushti 2021 deri në janar 2022, ekipet mobile ndihmuan 260 persona që i përkisnin kategorive vulnerabël të njerëzve (326 fëmijë që ishin të pastrehë ose për të cilët rruga ishte burim ekzistence në vitin 2020), duke përfshirë 68 viktima të mundshme të trafikimit (gjashtë viktima të mundshme në 2020). Ekipet mobile identifikojnë shumicën e viktimave të mundshme çdo vit dhe ekspertët i shohin ekipet si praktikën më të mirë në identifikimin proaktiv dhe bashkëpunimin ndërmjet shoqërisë civile dhe autoriteteve, megjithatë për shkak të problemit me fondin e posaçëm, efektiviteti i tyre është në pikëpyetje, theksohet në raport.

“Policia vazhduan të identifikonin viktimat e mundshme të punës së detyruar, kryesisht në mesin e fëmijëve romë që lypin ose shesin në rrugë. Policia në bashkëpunim me inspektorët e punës ka kryer 32 kontrolle dhe ka identifikuar dy viktima të trafikimit dhe një viktimë të mundshme. Autoritetet dhe shoqëria civile vazhdojnë të shprehin shqetësimin se disa agjencive qeveritare u mungojnë mekanizmat koordinues në drejtim të identifikimit proaktiv të viktimave”, thuhet në raport.

Në raport gjithashtu theksohet se trafikantët, të cilët shpesh janë të afërm ose miq të ngushtë, shfrytëzojnë fëmijët romë përmes lypjes së detyruar dhe shfrytëzimit seksual në martesat e detyruara. Në të tilla raste shteti i qorton prindërit ose ua merr fëmijët.

“Autoritetet i vendosën fëmijët viktima rome të identifikuara në qendrat ditore dhe i qortuan ose i gjobitën prindërit e tyre; në rastet kur gjykatat i konstatonin prindërit të paaftë për t’u kujdesur për fëmijët e tyre, shteti i vendoste fëmijët në jetimore dhe kujdestari. Në vitin 2018, autoritetet bënë ndryshime ligjore për të mundësuar strehimin e viktimave potenciale vendase dhe të huaja në strehimore; megjithatë, shumica e viktimave potenciale të huaja vazhdojnë të strehohen në qendrën transitore”, thuhet në raport

Kujtojmë se edhe në raportin e progresit të KE-së  kishte vërejtje se “fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga komunitetet rome duhet të rrisin regjistrimin në parashkollore dhe të vazhdojë përmirësimi dhe mbështetja për trajnimin dhe zhvillimin profesional të mësuesve”. MPPS, arsyetohet se për përfshirjen e fëmijëve romë në institucionet publike, po punojnë 15 vite me radhë. Megjithatë, edhe pas një dekadë e gjysmë, rezultatet janë të dobëta. Fëmijët romë edhe më tej janë pre e trafikimit dhe keqpërdorimit për përfitime materiale.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 12 tetor përpara Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian. Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button