Prokuroria e Gostivarit dhe policia vazhdojnë hetimet lidhur me helmimin e nxënësve

Prokuroria e Gostivarit vazhdon hetimet lidhur me ngjarjen në shkollën e mesme ekonomike, kur mbi 40 nxënës u ankuan për simptoma helmimi. Prokurori Ahmed Ahmedi theksoi se ende nuk i kanë marrë rezultatet e ekspertizave të mjekësisë ligjore, ndërsa po vazhdojnë edhe hetimet e tjera në terren, përfshi edhe analizimin e kamerave të sigurisë, për të zbardhur detajet e ngjarjes.

 “Nga ana e Prokurorisë së Gostivarit janë ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore dhe deri tani gjithçka është në kontekstin e hetimit. Veprimet në bashkëpunim me mjekësinë ligjore dhe krim teknikën, asgjë konkrete dhe zyrtare, e shkruar, nuk na ka arritur. Por, ne në çdo moment e ndjekim me vëmendje situatën lidhur me hetimet”, tha Ahmed Ahmeti, Prokuror Publik i Gostivarit.

Edhe nga Ministria e Brendshme thonë se po ndihmojnë prokurorinë në sigurimin e provave dhe hetimin e plotë të rastit.

 “Ne si MPB do të vazhdojmë hetuesinë, në bashkëpunim me prokurorin publik, deri në zbardhjen e plotë të dyshimit, që do të thotë se me seriozitetin më të madh jemi duke iu qasur të gjitha informacioneve dhe indikacioneve që kanë të bëjnë me rastin në fjalë”, deklaroi Zemri Qamili, zv/ministër i brendshëm. 

Deri tani nuk është zbardhur asnjë detaj lidhur me rastin e Gostivarit. Nuk dihet çfarë substance ka shkaktuar simptomat e nxënësve, dhe as autorët e këtij akti.

Lajme të ngjashme

Back to top button