Në Universitetin e Tetovës u shënua 108 vjetori i Kongresit të Manastirit

Universiteti i Tetovës, me një akademi solemne e shënoi 108 vjetorin e Kongresit të Manastirit. Akademinë e shpalli të hapur Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof.Dr. Vullnet Ameti. Ai, me këtë rast tha se Kongresi i Manastirit është monumenti më i madh kombëtar për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen.

“Ndjehem shumë i nderuar që në emër të Universitetit të Tetovës, t’Ju drejtohem me fjalë rasti në 108 vjetorin e Kongresit të Manastirit, që konsiderohet si njëra ndër ngjarjet më të mëdha historike dhe kulturore në shekullin të kaluar. Shkrimi i një gjuhe është vlerë kulturore, që zakonisht mund përcaktohet se cilës kohë i takon, sepse me shkrimin fillon jo vetëm historia e asaj gjuhe, por edhe vetë historia e dokumentuar e një populli. Kongresi i Alfabetit u përgatit si rezultat i rrethanave historike, në të cilat çështja e ABC-së u bë pjesë e lëvizjes së madhe për njësimin e ndërgjegjes kombëtare, si parakusht dhe sfond i luftës për pavarësi kombëtare. Vendimet e këtij Kongresi nuk i përcaktuan thjesht vetëm shkronjat, por një orientim kulturor që do të mbetej i përhershëm si identiteti themelor i kombit tonë të lashtë. Ai u organizua në rrethana tepër të vështira shoqërore-politike dhe ishte në vëzhgimin e plotë të Portës së Lartë, shtetit grek dhe qarqeve sllave, megjithatë ata nuk arritën që t’i pengonin punimet e Kongresit dhe të realizonin politikat e tyre shkrimore, që i impononin përmes disa intelektualëve shqiptarë”, tha Prof. Dr. Vullnet Ameti.

u-shenua-108-vjetori-i-kongresit-te-manastirit-1

Ai, po ashtu tha se, rëndësia e Kongresit të Manastirit është e shumanshme: në radhë të parë për kulturën shqiptare, për lëvrimin shkencor e letrar të gjuhës, por, mbi të gjitha për zhvillimin e arsimit kombëtar. ,,Që atëherë e deri më sot, gjuha shqipe dhe alfabeti i saj kaloi një rrugë me shumë sfida, por të suksesshme, që të gjithë neve na bën krenarë. Në këtë Kongres, përveç që u vunë themelet e alfabetit shqip në trajtën e sotme, i cili për bazë ka alfabetin latin dhe ndërtohet sipas parimit një shkronjë një tingull, në të u vunë edhe themelet e identitetit shqiptar, sepse, siç do të shkruante gazeta ,,Drita” e Shahin Kolonjës, që dilte në Sofje, në numrin 21 të saj, të datës 14 shkurt 1903: ,,Një komb mbahet i gjallë, po të ketë gjuhë-shkrimin e vet, ndryshe humbet, shuhet, vdes për jetë”.

u-shenua-108-vjetori-i-kongresit-te-manastirit-2Për fatin e kombit tonë, mbi bazën e këtij alfabeti, Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët,  më 28 nëntor do ta shënojnë 104 vjetorin e Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar dhe në këto 108 vite kjo gjuhë hyjnore siç e quante At Gjergj Fishta, edhe përkundër shtypjeve të mëdha, vijoi ligjërimin e saj mbarëkombëtar, artikuloi zëshëm përpjekjet e popullit tonë për liri e jetë të mëvetësishme kombëtare, si dhe luftën e tij për shkolla shqipe. Ne si institucion i arsimit të lartë në gjuhën shqipe, duke pasur parasysh kontributin e themeluesve të Alfabetit tonë, përmes organizimit të konferencave shkencore, botimit të revistave, takimeve të ndryshme mes studiuesish të gjuhës, angazhohemi që ta ruajmë dhe kultivojmë gjuhën tonë të bukur, gjuhën shqipe. Ne përkulemi me nderimin më të madh për të gjithë aktorët e kësaj ngjarjeje kaq të madhe historike dhe dinjitetshëm e nderojmë ditën e Alfabetit shqip në përvjetorin e tij të 108-të”, shtoi më tej Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Referatin qendror lidhur me rëndësinë dhe zhvillimin e punimeve të kongresit e mbajti historiani, Prof. Dr. Halim Porellku. Ai tha se, iniciativën për organizimin e një kongresi kombëtar për të arritur në një përfundim të unifikuar të çështjes së alfabetit e mori klubi ,,Bashkimi” i Manastirit, në mbledhjen e 23 gushtit të vitit 1908.

u-shenua-108-vjetori-i-kongresit-te-manastirit-3

“Pas përgatitjeve gjatë muajve gusht-shtator 1908, klubi ,,Bashkimi” i Manastirit thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar.Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarëkombëtare. U ftuan (Ftesa-,,Zëdhënia”) për të marrë pjesë në kongres, klubet dhe shoqëritë patriotike brenda e jashtë vendit,  të cilat  dhe u zotuan se do të dërgonin përfaqësuesit e tyre në kongres. Kongresi i zhvilloi punimet nga 14 e deri më 22 nëntor 1908, në hotelin ,,Liria” të Themistokli Gërmenjit, në Manastir. Në Kongres morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga të cilët 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote.
Nga delegatët pjesëmarrës ishin dhe Salaheddin beu, Gjergj Qiriazi, për Manastirin, Hafis Ibrahim efendiu, Emin beu, Haxhi Jashar efendiu dhe Rrok Berisha për Shkupin, Malik Elmazi për Nakoleter (mbase Nakolec, të Prespës), Xhemal beu dhe Beqir Dalipi për Ohrin, Ramiz beu për Dibrën, Sadik efendiu për Kërçovën, Haxhi Vildan efendi Dibra për Stambollin etj… Delegatët zgjodhën për Kryetar të Kongresit, Mid’hat bej Frashrin, nënkryetar Gjergj Qiriazin dhe Luigj Gurakiqin, kurse sekretar Hil Mosin, Toma Avramin dhe Nushet bej Vrionin.
Të gjithë delegatët votuan propozimin që Gjergj Qiriazi të udhëhiqte seancën e ditës së parë të punimeve të Kongresit, deri sa të arrinte Mit’hat Frashëri, i cili për shkaqe objektive arriti me vonesë nga fundi i punimeve të ditës së parë. Dy ditët e të para të kongresit; të shtunën e të dielën (14-15 nëntor), ishin të hapura për gjithë publikun dhe ishin prezent rreth 400 veta. Në ditën e tretë të punimeve kongresi zgjodhi një komision prej 11 vetash, në krye me Gjergj Fishtën, anëtarë i komisionit ishte dhe Gjergj Qiriazi”, theksoi Prof. Dr. Halim Porellku.

Akademia kushtuar 108 vjetorit të Kongresit të Manastirit përfundoi me një program artistik ku performoi këngëtarja tetovare Elita Ziberi, si dhe studentët e Fakultetit të Arteve dhe ata të Fakultetit Filologjik

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button