HUNDA

Thonë se hunda di dhe ia di shumë… Thonë se është kompetent për punët e jetës dhe pasjetës, për hiostoritë e së shkuarës dhe apokalipsat e ardhmërisë, për politikat lokale e globale, për çështjet letrare, filozofike, psikologjike, morale e hajt bir. Thënë shkurt: i bie që hunda është ekspert i licensuar me të drejtën e pakontestueshme të shitmendjes në shkretishte si kjo jona.

Ka edhe të tillë që thonë se tipi është allçish, se ka aftësi të kufizuara intelektuale, talent të vockël mediokriteti, se është moron, pordhavec, lapërdhar, pronar bordellosh, drejtues shtonash të pista informative ku afishohen thashëthemnajat dhe kultivohet fatalizmi brenda shpirtit të gjithë etnisë. Por, kjo s’e ka penguar kurrë notimin e kungullit mbi moçal, as do ta pengojë ndonjëherë që të kastrabythë fatin tim, tëndin, tonin.

Në rrëmujën aktuale propagandistike informative, pavarësisht të dhënës se hunda është organ me ndikim publik, njerëzit kanë shumë lakra brenda kokës dhe nuk ia dalin ta njohin të vërtetën lakuriqe për të. Përvoja i ka bërë dyshues, ndaj nuk e dinë kush është engjëll e kush djall. Jo rastësisht nuk ekziston asnjë personalitet i vdekur a i gjallë, për të cilin të gjithë shqiptarët mendojnë njësoj? Aq i pasigurtë është bërë gjykimi!

Në kësi rrethanash, e vërteta lakuriqe kërkon analizimin e një popullacioni të tërë hundësh, që ndoshta do të dëshmonte katërcipërisht, se kjo kabile qeniesh është mercenare, bashibozuke, mendjemadhe… në raport me më të dobëtit, asish që nuk i marin me vete hundët sa herë u pikin ose ua përtokin të tjerët, kurse, në raport me honorardhënësit, padronët, iblisët… të tillët janë pula të lagura, peshq të pagojë, huta pa mendim për çfarëdoqoftë, qenie të papersonalitet, ligavecë të padinjitetshëm, malukat pakurrizorë, skraja kafkiane…

Personalisht ndjej keqardhje për hundën, sepse të qenit qelbësirë nuk është në duart e njeriut. Mbase askush nuk dëshiron të jetë butak, po ç’t’i bësh fatit që për dikë përcakton zvarritjen tutje jetës, që dikë e mallkon të jetë i huaj brenda lëkurës së vet të natyrshme.

Te merremi vesh: nuk kam asgjë kundër hundës njerëzore, për të cilën thonë se është mëkat të përqeshet. Për hundën organ nuhatjeje ka shkruar dhe një shkrimtar i madh yni. Ai ka thënë se ne nuk mund ta shtojmë sasinë e hundëve, por mund ta rrisim nivelin e nuhajtjes dhe cilësinë e nuhatjes me hundën që dispomojmë… Kjo mund të na ndihmojë veçmas në stinë zgjedhjesh e zgjidhjesh. Megjithatë, e drejta e votës është e lirë, ndaj: ju dini.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button