Kandidati i afërt me Moskën fiton zgjedhjet presidenciale në Bullgari

Kryeministri bullgar, Boyko Borissov, njoftoi se në mbledhjen e parë të Parlamentit do të paraqesë dorëheqjen, pas humbjes së kryetares së Parlamentit, Tsetska Tsacheva, e cila ishte paraqitur nga Partia Qytetarët për Zhvillimin Evropian (GERB) si kandidate në zgjedhjet e sotme presidenciale në Bullgari, transmeton Koha.net.

Pasi kandidati i paraqitur nga opozitarët, konkretisht nga Partia Socialiste e Bullgarisë (BSP), Rumen Radev, i afërt me Moskën, fitoi sot zgjedhjet presidenciale duke marrë 58 për qind të votave, kryeministri Borisov duke vënë në dukje se do të mbante premtimin e dhënë më parë për dorëheqje tha se “Tashmë jemi opozitë me pëlqimin dhe vullnetin e popullit”.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur në qendrën e përgjithshme të GERB, Borissov duke u shprehur se janë të gatshëm të pranojnë ndëshkimin që populli i ka dhënë në këto zgjedhje dhe se do të respektojnë këtë preferencë të popullit tha se “Nuk jam i penduar për asgjë që kam bërë. Kam qenë gjithmonë një pjesë e popullit. Kam ndjerë madje në lëkurën time çdo sinjal që populli ka dhënë.”

Ndër të tjera Borissov ka theksuar se tashmë Parlamenti i ri është i dominuar nga një shumicë e re dhe se partia GERB synon që duke vajtur në zgjedhje të parakohshme të rifitojë besim dhe të rivendoset në pushtet.

Presidenti i zgjedhur Rumen Radev

Presidenti i zgjedhur në Bullgari Rumen Radev në konferencën e parë për shtyp tha se “Demokracia në vendin tonë fitoi në situatën e pandryshueshme aktuale.”

Ndër të tjera duke theksuar se rezultatet e zgjedhjeve i kanë dhënë pushtetit notën që meritonte dhe se nuk vëren ndonjë situatë dramatike në ambientin politik në vend Radev, u shpreh se “I bëj thirrje të gjithëve në vend që të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme. Pa harruar asnjë premtim që kam dhënë do ti zbatoj një e nga një.”

Çfarë do të ndodhë në Bullgari?

Sipas kushtetutës presidenti Rosen Plevneliev detyra e të cilit përfundon më 22 janar nuk ka autoritetin që të shpërbëjë parlamentin në 3 muajt e fundit të detyrës së tij.

Plevneliev më parë kishte njoftuar se kriza politike nuk do të thotë krizë parlamentare, dhe se do të punonte për formimin e një qeverie të re në mjedisin e parlamentit aktual.

Në rast të mos formimit të qeverisë presidenti i ri i zgjedhur Rumen Radev pritet që të shpërbëjë parlamentin menjëherë pas nisjes së detyrës së tij më 22 janar dhe të shpallë datën për zgjedhje të parakohshme.

Ndër të tjera bëhet e ditur se zgjedhjet e parakohshme do të kryhen në mars ose në prill 2017.

Gjithashtu pritet që Parlamenti i Bullgarisë të mblidhet ditën e mërkurë më 16 nëntor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button