Me ma:jt (me u m(b)a:jt) dhe me ba:jt (me u ba:jt)

Do ta nisim këtë tekst me infinitivin, të cilin e ruajnë të folmet e veriut. Janë dy folje: me ma:jt e me ba:jt. Foljen me ma:jt e ka Fjalori i gjuhës shqipe (si mbaj) dhe për këtë folje ka mjaft shpjegime, mjaft shembuj, por jo edhe aq sa i kërkon zhvillimi i sotëm i arsimit dhe dijes dhe jo aq përpikshëm. Folja e dytë, me ba:jt (ba:j) gjendet  në fjalor si folja mbart, po më poshtë do të shihet se mbart nuk është identike me  me ba:jt. Me ma:jt e me ba:jt janë dy folje me kuptime deri-diku të afërta, po megjithatë janë të ndryshme. Në fakt fjalori shumicën e shpjegimeve edhe kuptimeve të foljes me ba:jt  i shpjegon si kuptime të foljes me maj:t ose synon që këtë folje ta zëvendësojë me foljen mbart (një folje që përdoret në një hapësirë shumë të ngushtë të arealit të gjuhës sonë, të cilën e shpjegon kështu: Shpie diçka nga një vend në një tjetër duke e mbajtur vetë ose duke e ngarkuar mbi një mjet. Mbart gurë (misër, ujë). Mbart thasë me çimento. Mbart në krah (në shpinë). Mbart me gomar (me karrocë). Mbart plaçkat ndërroj shtëpi, mbartem. Këto shpjegime i përgjigjen foljes me ba:jt, por folja me ba:jt ka më shumë kuptime, është më e pasur.

Besoj se përmes shpjegimeve e shembujve që do të jepen më poshtë do t’ia dalim që t’i vëmë në spikatmë dallimet, të cilat, herë do kur bashkë me këto dy folje do të gjejnë vend në Fjalorin tonë, sepse ne nuk kemi fjalë për të hedhur poshtë.

Në fillim t’i marrim në shqyrtim disa kuptime të foljes me (u) m(b):ajt, pastaj të dalim te folja me (u) ba:jt.

Me (u) m(b)a:jt

  1. kap me dorë, a me duar ose me diçka tjetër një send, kafshë a njeri dhe nuk e lëshoj.
  2. e mbërthej ose bëj një veprim që mos të lëviz diçka në kahen e padëshiruar ose të mos bjerë, bëj që të mbetet në pozitën ose situatën e njëjtë; mbështes b. fig. qëndroj [Xhit t’ma (mban) taj ktau?]
  1. kam nën kontroll, udhëheq, s’e lë të më ikë nga shikimi: [e ma (mbaj) n’shah; e ma (mbaj) peng gruen,  e ma (mban) larg pi vejtit]kam dikë nën pushtetin ose varësinë time, kujdesem për dikë. [E ma n’grusht, e ma me bukë, i ma vetë frenat, ma di gra].
  2. Memorizoj: [ma: mend (mbaj mend)]
  1. Kujdesem për dikë a diçka [e ma vejtin, e ma majr shpajnë]
  1. (i) ndihmoj (dikujt) në njëfarë mënyre, jam në anën (e dikujt) [ja ma anën Agimit]
  1. ligjëroj diku [ma mësim n’Tetovë];
  1. e plotësoj premtimin [e ma (mban) fjalën] (i) ruaj zakonet, kujdesem për traditën [e ma (mban) ramazanin], ruaj [ma (mban) lopë, ma (mban) dhen], , mbroj [ma (mban) rend, e ma (mban) n’nishan n’nishan]
  1. shërbehem me mjete ndihmëse të cilat i ndihmojnë organizmit ose organeve që ta përmirësojnë punën e një organi ose shërbehem me mjete për mbrojtje [ma (mba(n)) gjizllajk, ma (mban) kësulë, ma (mban) çadër]
  1. nuk tregoj diçka [e ma (mbaj) mçeft] etj.
  1. shpërngulem [u bajta pi asaj banese ene dola pak ma larg, po ma majr jam];
  1. sjell, çoj [Veç ba:j e bie, po shpaja paska kanë thes pa fund],
  1. i jap zemër dikujt: [a po mahesh (mbahesh)? Maju, maju,(mbaju, mbaju) majr dukesh!], etj.

Me (u) ba:jt

  1. me shtat (trup), në lëvizje, mbaj diçka ose me diçka tjetër mbaj diçka nga përfund b. ndërroj vendin e ndonjë sendi, kafshe a njeriu duke e mbartur si barrë; mbart. [Veç ba:j e bie, po shpaja paska kanë thes pa fund], [Gjufteva shaum, veç sot kum ba:jt tredhejt thasë pi duqani n’shpaj],
  1. kam në shtat veshë (veshje) e mbathë (mbathje). [ba:n raçe t’majra, kpuca t’zeza] [Asaj i ka hije shamaja e munasht, se ajo din ta baje],
  1. duroj, duroj shumë. [Agroni ba:n shaum],  [a lazdrau gje (dje), hec e ba:je sot], [e ba:j se e kam vlla]
  1. përzë dikë me vrazhdësi: [baju; bajuni! Baj bithën tuqe!] (Nuk mund të thuhet: mbartu! Mbartuni! Sepse kuptimi del krejtësisht i ndryshëm, etj.).

Siç shihet nga këta pak shembuj folja mbart nuk i ka të gjitha kuptimet dhe nuancat kuptimore që i ka folja me ba:jt. Prandaj foljes ba:j (me ba:jt) duhet t’i hapen dyert të hyjë midis kopertinave të fjalorit tonë, i cili është i vetmi fjalor në rajon me rreth dyzet mijë fjalë, përballë fjalorëve të fqinjëve që janë me njëqind mijë e më shumë fjalë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button