‘Fundosja’ e mediave, rezultat i presioneve të pushtetit aktual

Alarmi i ‘Reporterëve pa kufi’ për gjendjen katastrofike të mediave në Maqedoni, nuk paraqet befasi. Njohësit e mediave vlerësojnë se rënia që ka pësuar vendi në indeksin më të ri për lirinë e mediave, është rezultat i përpjekjeve të pareshtura të pushtetit për të ndrydhur fjalën e lirë.

“Mediave me vite, në mënyrë sistematike u ushtrohet presion ekonomik dhe politik dhe nuk kursehen mjete që të heshten të gjitha ata të cilit shprehin mendim tjetërsoj nga mendimi i pushtetit”, shprehet për Portalb, Bardhyl Jashari, drejtor i Fondacionit Metamorfozis.

Sipas Jasharit madje, në këtë rënie kanë kontribuar burgosja e gazetarit Kezharovski dhe sjellja e ligjit për media – ligj ky, që hap shtigje për censurë dhe nxit vetëcensurë. “Kur i shtohet kësaj edhe rënia e kualitetit në përgjithësi e gazetarisë dhe vështirësitë e ndryshme në ushtrimin e profesionit si gazetar në Maqedoni, bëhen shumë më të kuptueshme arsyet e kësaj rënieje”, shton ai.  

Nga ana tjetër përfshirja e disa mediave në afera korruptive të cilat i zbardhi pak kohë më parë opozita, dërgojnë gjithashtu sinjal të keq. 

“Çështja e përgjegjësisë në këtë kuadër është shumë e ndjeshme. Nuk është problemi vetëm tek ata që japin para por edhe ata që marrin. Pra është e disktueshme nëse përgjegjësia e qeverisë është më e madhe apo e redaktorëve dhe pronarëve nga ana tjetër, që bëhen pjesë e këtyre lojërave. Megjithatë praktikat e tilla korruptive apo jo etike japin sinjal të keq”, vlerëson për Portalb, Vlladimir Misev nga Instituti për demokraci. 

Klasifikimi i Maqedonisë në grupin e vendeve me “situatë të vështirë” vjen gjithashtu si rrjedhojë e natyrshme e keqqeverisjes dhe largimit nga rruga që çon drejt integrimit në BE.
“Për fat të keq BE-ja më nuk paraqet motiv të mjaftueshëm për përmirësimin e gjendjes me lirinë e shprehjes”, shton drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari. 

Në situatë kur pengohet liria e shprehjes si bazë për të lehtësuar realizimin kuptimplotë të të drejtave të tjera të njeriut, sipas Jasharit në pikëpyetje vihen edhe të drejtat e tjera të qytetarëve me çka ndikohet në kualitetin e përgjithshëm të jetës.

Vlladimir Misev, nga Instituti për demokraci, shprehet pesimist se këto fenomene negative do të shmangen në një të ardhme të afërt. “Për fat të keq nuk shikoj vullnet politik tek pushteti, sepse zhvillimet demokratike nuk përmirësohen, mediat janë gjithmonë peng i  partive politike të pushtet. Nuk shoh perspektive se në të ardhmen e afërt situata do të ndryshojë në mënyrë radikale”, shton Misev. 

Në Indeksin më të ri për lirinë e mediave në organizim të Reporterëve pa kufi që përfshin gjithsej 180 shtete, Maqedonia gjendet në vendin e 123.


Kjo paraqet rënie prej gjashtë vendeve për dallim nga raporti i vitit të kaluar. Nga rajoni Maqedonia, Mali i ZI dhe Turqia gjenden në kategorinë e vendeve që janë në “gjendje të vështirë”./Portalb

  

Lajme të ngjashme

Back to top button