Qeveria miraton draft/buxhetin për 2017

Qeveria ka kaluar draft buxhetin për vitin 2017, bëri të ditur ministri i Financave Arben Ahmetaj. Sipas tij, në këtë buxhet mbështetet rritja ekonomike me 3.8%, njofton Top Channel.

Buxheti me një shifër 467 miliardë lekë, ka synim uljen e borxhit publik, rritjen e pagave dhe pensioneve në muajin mars.

“Nuk ka në historinë financiare të financave publike të 20 viteve të fundit që një qeveri të ketë përgjegjshmëri maksimale për të vazhduar kosnolidimin fiskal në një vit elektoral”, u shpreh Ahmetaj.

Sipas Ahmetaj, ai është buxheti i rritjes ekonomike, i reformave, i rritjes së pagave dhe pensioneve, si dhe i investimeve publike.

“1. Buxheti i rritjes ekonomike – rritja përshpejtohet në 3.8%, ose rreth katërfishi i asaj që ishte në vitin 2013.

2. Buxheti i reformave – rreth 20 miliardë lekë për akomodimin e reformave thelbësore për ekonominë: reforma në drejtësi, reforma në administratën publike, reforma në pensione, reforma e pronave, refroma e decentralizimit dhe reforma e ujit.

3. Buxheti i rritjes së pagave dhe pensioneve – për herë të parë rreth 100 milionë dollarë (në 12 muaj) për rritjen e pagave dhe pensioneve 2017, fondi më i madh për paga dhe pensione i akorduar brenda një buxheti në 25 vite!

4. Buxheti i investimeve publike – buxheti 2017 siguron nivel optimal të investimeve publike 5% e GDP (investime qendrore + Fondi i Zhvillimit të Rajoneve + mbështetje për sektorin energjetik), duke pasur huamarrjen (deficitin) më të ulët të arritur ndonjëherë, prej rreth 2% të GDP, pra balancën korente më pozitive në 25 vite prej rreth 2.9%, duke kapërcyer madje edhe kufirin e rregullit të artë”, ka komentuar Ahmetaj.

Shefi i financave shqiptare ka bërë gjithashtu me dije se në vitin 2017 borxhi publik do të ulet me pothuajse 3%, në 69.1%; defiçiti do të jetë në nivelin 2%, më i ulëti sipas tij në 25 vite; balanca primare me suficit +0.7%; ndërsa pagat dhe pensionet do të rriten duke ulur borxhin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button