Fshati që të trishton nga heshtja (FOTO)

Në afërsi të Shkupit gjendet fshati Krushopek i Epërm, i cili është tërësisht i braktisur dhe në të nuk jeton më askush.

Shtëpi të vjetra, mure të rinuara dhe disa ndërtime të reja, ishin pamjet që ne kapëm gjatë një vizite të këtij fshati. Gjatë bisedës me disa persona që pamë, na lan të kuptojmë se në këtë fshat më nuk jeton askush, ato shtëpi të reja që po ndërtohen, janë pushimore në të cilat banorët e dikurshëm të këtij fshati kalojnë verën pasi që aty është më freskët.

Migrimet e familjeve të këtij fshati kanë filluar që nga viti 1958. Rreth kësaj teme flet Sefer Mahmuti, i cili tani më një kohë të gjatë nuk jeton në këtë fshat.

“Kushtet e rënda ekonomike ishin një ndër arsyet kryesore se pse filluan shpërnguljet. Fillimisht rreth 30 shtëpi u shpërngulën dhe morën rrugën për në Turqi, kurse gjithë të tjerët zbritën më poshtë në Krushopekun e poshtëm”, tha Mahamuti.

Ai shtoi se rruga e pa kalueshme me makinë dhe sinët e ftohta të dimrit bllokonin tërësisht këtë fshat.

“Ishte  e vështirë të jetohet këtu. Rrugët janë të parregulluara dhe rrallë ndonjë makinë që mund të depërtojë, kurse gjatë dimrit kur binte edhe botë ne mbeteshim të ngujuar. Tani këtu vimë për të ruajtur bagëtinë si dhe për ti kaluar ditët e nxehta të verës”, tha Mahmuti.

Sipas tij ky fshat është i lënë pas dore nga vetë autoritetet komunale, të cilat nuk kujdesën dhe i kushtojnë rëndësi kërkesave tona.

“Nga komuna nuk na ka vizituar askush. Ne i përkasim komunës së Sarajit, e cila komunë asnjëherë nuk është munduar të na i rregullojë rrugët dhe të krijojë kushtet elementare për të jetuar. Si të kthehen ata që u larguan kur këtu nuk ka asgjë”, theksoi Mahmuti.

Megjithatë shpresa ekziston që një ditë familjet e shpërngulura do të kthehen në këtë vend të bukur malor, t’i shijojnë bukuritë natyrore dhe ajrin e pastër që mbizotëron aty.

Lajme të ngjashme

Back to top button