Sivjet përfundon restaurimi i xhamisë më të vjetër në Kosovë

Përkujdesja ndaj lapidarëve dhe restaurimi i objekteve të trashëgimisë kulturore e fetare do të jetë ndër prioritetet e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, ka bërë të ditur për KultPlus, drejtori i këtij instituti Agim Gërguri.

Evidentimi i të gjithë lapidarëve të ngritura në Kosovë, do të jetë ndër prioritetet kryesore për këtë vit të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës. Kështu ka deklaruar për “KultPlus” drejtori i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve në vend, Agim Gërguri. “Të gjitha lapidarët e vendosura pas luftërave në Kosovë, do t’i regjistrojmë dhe pas kësaj do t’i fusim në mbrojtjen e Institutit. Ky është edhe një nga programet kryesore që duhet realizuar brenda këtij vitit, prandaj ne konsiderojmë që është e udhës që këto lapidare duhet të kenë një evidencë”, ka theksuar Gërguri.

Ai ka shtuar se sivjet pritet të restaurohen disa objekte të rëndësishme të trashëgimisë fetare për shkak të vjetërsisë së tyre. Në mesin e tyre është edhe xhamia më e vjetër në Kosovë, e cila gjendet në kryeqytet. “Brenda këtij viti pritet të përfundojnë punët në objektin e xhamisë së qytetit të Prishtinës apo e njohur si xhamia e “Çarshisë”. Punimet do të zhvillohen në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, pas ardhjes së kryetarit të ri do të vazhdojmë t’i zhvillojë disa procedura të papërfunduara. Nëse Komuna e Prishtinës, këtë vit na ndanë fonde për përfundimin e punimeve, atëherë këtë vit pritet të hapet xhamia e qytetit në Prishtinë”, ka thënë drejtori Gërguri.

Ai ka shtuar se ndër prioritetet e Institutit është edhe intervenimi në xhaminë Atik në Gjilan e cila ka nevojë për një konservim të pikturës, si dhe verifikimi i objekteve të tjera që kanë mbetur pa përkujdesje e që mund të futen në listën e mbikëqyrjes së Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve.

Drejtori i këtij instituti Agim Gërguri, ka dhënë një mesazh se duhet bërë edhe më shumë përpjekje prej autoriteteve shtetërore që fondi i Trashëgimisë Kulturore të ruhet dhe të kultivohet sa më shumë, sepse siç u shpreh ai, thesari i një vendi është pikërisht Trashëgimia kulturore. Ai tha se buxheti i ndarë nga Qeveria për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore është i pamjaftueshëm. “UNESCO para disa dite mora lajmin se ka ndarë më shumë se një milion euro për trashëgiminë e qytetit të Novobërdës. Këta të fundit siç po shihet po ia dinë vlerën më shumë Trashëgimisë Kulturore të vendit se sa qeveritarët tanë. Për të njohur shtetet e tjera Kosovën si shtet, duhet të kihet parasysh se baza kryesore e një vendi është patjetër trashëgimia kulturore. Prandaj, autoritetet shtetërore duhet të kenë kujdes më mbrojtjen e monumenteve dhe të trashëgimisë kulturore”, tha ai.

Nga ana tjetër, për sa i përket gurëve të cilat janë zbuluar në zyrën e Blerta Zeqirit, drejtoreshë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Gërguri ka deklaruar se ato nuk paraqesin kurrfarë vlerash dhe me rregullat e Institutit, këta gurë nuk do të vendosen për rikonstruktim të çezmës shekullore e cila gjendet në sheshin “Skëndërbeu” në Prishtinë. “Kur është ndërtuar atëbotë para shumë vitesh pranë çezmës e cila gjendet te Teatri Kombëtar, banorët e atëhershëm kanë mbledhur gurë të ndryshëm për ta ndërtuar konstruktin e një çezme. Ata kanë përdorur edhe gurë të varrezave dhe më pas kanë bërë rrethojën e kësaj çezme. Kur janë zbuluar këta gurë gjatë rregullimit të sheshit “Skënderbeu” janë marrë dhe janë dërguar në objektin e Komunës” ka thënë Gëguri.

Drejtori i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, Agim Gërguri shtoi se këta gurë nuk kanë kurrfarë vlere, për shkak se janë të varrezave, edhe pse sipas tij atëherë kanë kryer punë tejet të madhe për banorët e Prishtinës./KultPlus.com

Lajme të ngjashme

Back to top button