Rama: Reformë territoriale dhe subvencione fshatit

Kryeministri Edi Rama thekson nevojën e reformës territoriale si një domosdoshmëri për zhvillimin e vendit, sidomos të sektorit të bujqësisë.

Gjatë fjalës së tij në konferencën kombëtare “Pagesat në bujqësi, si mjet zhvillimi”, kryeministri theksoi se një territor që imponon fragmentimin e administrimit të sistemeve të ujit, transportit, të mbledhjes së mbeturinave, të sistemeve të planifikimit dhe financimit të aktiviteteve në hapësirën rurale është në vetvete një bazë e pafavorshme për çdo politikë zhvillimi rajonal dhe kombëtar.

“Duhet një reformë territoriale. Kjo nuk është thjesht shkurtimi i domosdoshëm i shumë shpenzimeve të kota. Nëse flasim për skema të reja,  reforma territoriale është kryeskema e mbështetjes së bujqësisë dhe e nxitjes së zhvillimit rural në tërësi”, – tha Rama.

Ndërsa e cilësoi si të mjerueshme gjendjen në të cilën gjendet sot fshati shqiptar, Rama deklaroi se, masa e përfitimit për shoqëritë e produkteve bujqësore është rritur me 40 për qind, ndërsa është riformatuar tërësisht sistemi i skemës së mbështetjes për bujqësinë.

“Skema e vitit 2014 kap shifrën 1 miliard e 655 milionë lekëve”, – tha Rama. Ai foli edhe për bashkëpunimin me tregjet e Kosovës.

Nga ana e tij ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi i pranishëm në konferencë, kërkoi nga qeveria mbështetje ndaj fermerëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button