Rama: Pagat rriten në mars, kalojmë 3 shtete në Ballkan

Në komunikimin javor që ka bërë dje nga faqja e vet në “Facebook”, kryeministri Edi Rama ka folur për angazhimin e qeverisë për t’i shkuar deri në fund reformave që ka nisur dhe premtimit për rritjen e pagave.

Rama premtoi se qeveria nuk do presë më, por ka vendosur të rrisë rrogat e pensionet, që Shqipëria t’ia kalojë Kosovës, Malit të Zi, Kroacisë dhe t’i afrohet Maqedonisë për nivelin e pagës më të ulët.

“Besimi se Shqipëria mund të bëhet më ka sjellë në këtë zyrë. Shqipëria ka qenë pa rend ligjor në 20 vite. Me bindjen se Shqipëria duhet të bëhet shtet, po të kishin filluar 20 vite më parë do ishte bërë një vend tjetër”, tha Rama, transmeton Shekulli.

Si reformën më të thellë, Rama cilësoi atë në drejtësi, për të cilën akuzoi opozitën se është munduar ta ndalojë me çdo kusht.

“Do vazhdojnë ta pengojnë, herë duke e gjuajtur me gurë e herë duke hedhur gurin e duke fshehur dorën”, tha ai. Më tej, kreu i Ekzekutivit tha se kundër reformave për të bërë shtet është qeverisja e vjetër, e cila hedh vazhdimisht baltë.

“Erës së ndryshimit i kundërvihen, korente presionesh antireformiste nga më të ndryshmet. Nga një anë rezistenca, inercia e mënyrës së të
parit dhe të bërit të gjërave në këtë vend. Nga ana tjetër rezistenca e qendrave të çfarëdollojshme të interesave të prekura, apo të kërcënuara nga ndryshimi që sjellin reformat.

Dhe përballë orë e çast, rezistenca e të gjitha shtresave të kalbura të politikës së vjetër që jeton në baltë dhe baltos ku mundet, sa mundet dhe kë të mundet”, shprehet Rama.

E ndërsa tha që efekti i reformave ka filluar të ndjehet në Shqipëri, kryeministri shtoi se nuk do të presë më, por duke filluar nga 1 marsi qeveria do japë 100 milionë dollarë për rritjen e rrogave dhe pensioneve.

Duke u krahasuar me 8 vitet e qeverisjes së Berishës, Rama tha se, qeveria është gati t’u japë punonjësve dhe pensionistëve 100 milionë dollarë, shuma më e madhe e dhënë ndonjëherë nga një qeveri shqiptare. “Ulja e taksës mbi rrogën ka bërë që të ndajmë nga buxheti i shtetit rreth 300
milionë dollarë për buxhetet familjare të sektorit privat. Kështu, po të mbledhim kontributin total të një mandati të kësaj qeverie për rritjen e të ardhurave të të gjithë punonjësve në shtet apo në privat, dhe pensionistëve po ashtu, arrin 540 milionë dollarë, që nga buxheti i shteti është spostuar në buxhetet familjare”, citoi ai, duke përllogaritur se Shqipëria nuk do të jetë e fundit në rajon, për rrogën minimale apo mesatare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button