Prishtina me ultimatum për liderët e Luginës, “ merre ose leje “

Përfaqësuesit politik të shqiptarëve të Luginës janë ftuar sonte në një takim tek kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Takimi do të fillojë në ora 18:00, ndërsa kohëzgjatja e tij nuk është e parashikuar, njoftojnë burimet e portalit Titulli përbrenda qeverisë së Kosovës.

Të njëjtat burime kanë pohuar se ftesa për takim iu është dërguar të gjithë prijësve politik dhe institucional nga Lugina.

“ Kjo do të jetë hera e fundit që përfaqësuesit e Luginës ftohen në këtë përbërje, ngase njëra nga temat e diskutimit dhe kërkesa e ekzekutivit kosovar do të jetë krijimi i përbërjes së ngushtë të delegacionit, i cili do të shërbente si reprezentativ në të ardhmen, për bisedimet me zyrtarët e qeverisë serbe, përfaqësuesit e Bashkësisë Ndërkombëtare, por edhe faktorit mbarëkombëtarë “, njofton burimi ynë.

Megjithatë, temë kyçe e takimit të sotëm do të jetë unifikimi i faktorit politik të Luginës për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të 16 marsit në Serbi.

“ Në këtë drejtim, duke dashur të eliminojë ndasitë brenda bllokut të subjekteve të Luginës, zyrtarët kosovarë pritet që mysafirëve të sotëm t’ia përcjellin qëndrimin që bartës së listët për deputetë të jenë dy përfaqësues nga shoqëria civile. Njëkohësisht, kjo është edhe kërkesë e Tiranës zyrtare “, pohon një burim tjetër, por kësaj here përbrenda delegacionit të Luginës.

“ Pas takimit të sotëm, liderët e Luginës do të kenë një afat kohor prej dy ditësh që Prishtinës dhe Tiranës t’ia paraqesin emrat e kandidatëve për listën zgjedhore ”, ka thënë ndër të tjera burimi i portalit Titulli.

Nga ana tjetër, edhe burime tjera si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë, pohojnë se ” kësaj here kërkesat, të cilat janë të koordinuara midis qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, janë të prera si kurrë më parë dhe të modifikuara sipas parimit “ merre ose leje “.

Në rast se liderët e Luginës nuk merren vesh mes veti, brenda afateve të parapara,atëherë, sipas burimeve tona,  njëherë e përgjithmonë duhet t’ia bëjnë “ bye-bye “, si Prishtinës, ashtu edhe Tiranës.

Lajme të ngjashme

Back to top button