Menopauza, fillimi i ri në jetën e gruas

Menopauza është fundi i përhershëm i ciklit menstrual. Nuk është një sëmundje, por një fazë kalimtare që ka një farë impakti në shëndetin e një gruaje. Edhe pse ajo mund të sjellë përmbysje të shëndetit, duke shkaktuar valë të nxehta, djersitje natën, si dhe simptoma të tjera, është një fillim i ri në jetën e një gruaje dhe një mundësi e artë për të filluar mbrojtjen kundër sëmundjeve shumë të mëdha shëndetësore, si sëmundjet e zemrës dhe osteoporozën, shkruan shendeti.al.

Shkaku  i menopauzës është mosha. Është fundi i viteve të  mundshme për të lindur fëmijë tek një femër. Ekzistojnë disa rrugë kirurgjikale dhe trajtime mjekësore që mund të nxisin menopauzën. Këto përfshijnë heqjen e vezoreve , kimioterapinë si dhe terapinë e rrezatimit të  legenit. Heqja e mitrës pa hequr më parë vezoret nuk çon në menopauzë, por që gjithsesi  çon në zhdukjen e ciklit menstrual.

Kur fillon menopauza?

Mesatarisht femrat e kalojnë menopauzën në moshën 51 vjeç, por ajo në disa raste mund të fillojë më vonë ose më shpejtë. Pak femra e fillojnë menopauzën në moshën 40 vjeç dhe një përqindje shumë e vogël pas të 60-ve. Femrat që pinë duhan kanë tendencën të fillojnë menopauzën disa  vite më parë sesa ato që nuk e konsumojnë. Momentalisht nuk ka asnjë mënyrë të përcaktuar që mund të parashikojë menopauzën. Vetëm pasi një femër ka humbur ciklin e saj për 12 muaj pa asnjë shkak tjetër të dukshëm, mund të konfirmohet menopauza.

Shenjat e menopauzës

Teksa menopauza afrohet, cikli i gruas fillon dhe pëson ndryshime. Këto ndryshime variojnë nga një femër tek një tjetër. Cikli menstrualmund të shkurtohet ose zgjatet, të rëndësohet ose të jetë më e pakët, me më pak kohë  ose më shumë midis periodave. Ndryshime të tilla janë normale, megjithatë rekomandohet kontrolli tek mjeku në momentin kur periodat vijnë shumë afër  në kohë, nëse keni gjakrrjedhje të shumtë, ose nëse cikli zgjat  më shumë se sa një javë.

Nëse simptomat e menopauzës fillojnë të jenë një problem, flisni me doktorin. Mjeku mund t’ju ndihmojë me terapinë hormonale të menopauzës, ose t’ju japë kura të tjera, si dozë e lehtë me kokrra  kundër shtatzënisë, antidepresantë, ilaçe të tensionit e shumë të tjera. Mjeku mund t’ju ndihmojë edhe me dietën, ushtrimet, gjumin si dhe kontrollin e stresit.

Kurat alternative

Jeni të interesuar të përdorni trajtime alternative ose plotësuese për simptomat e menopauzës? Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit, akoma nuk janë kryer studime të hollësishme dhe të suksesshme mbi këtë çështje. Kërkuesit mendojnë se akoma nuk  mund  të nxirren përfundime për efektshmërinë e kurave tradicionale. Mund të flisni me mjekun tuaj dhe tregojini për ndonjë kurë që jeni duke përdorur, kështu ai do të përcaktojë dëmet dhe efektin që ka mbi ju.

Rreziqet shëndetësore të menopauzës

Me menopauzën vijnë edhe mundësi më të mëdha për t’u prekur nga sëmundjet e zemrës ( gjë e cila është dhe shkaktari numër një i vdekjeve të grave në SHBA) si dhe osteoporozë, hollimi i kockave. Humbja e estrogjenit mendohet se luan një rol të rëndësishëm për sëmundjet e zemrës pas menopauzës. Nuk rekomandohet të përdoret trajtimi me hormone për menopauzën nëse doni të shmangni sëmundjet e zemrës. Nëse jeni duke u afruar në moshën e menopauzës, duhet të filloni seriozisht të merrni masa për një shëndet sa më të mirë.

Menopauza  dhe si të qëndrosh i shëndetshëm

Të jetosh një jetë të shëndetshme është e rëndësishme gjatë jetës së një gruaje. Nuk është kurrë vonë për ta filluar këtë në  menopauzë. Kontrolloni rregullisht tensionin, kolesterolin,  sheqerin në gjak si dhe bëni takime të rregullta, për shembull mamografi. Menopauza është gjithashtu një kohë shumë e mirë për të rinovuar dietën tuaj, për të filluar aktivitetet fizike dhe kurset për menaxhimin e stresit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button