Berati kërkon mbrojtjen e titullit kampion Evrope

Reprezentacioni i Maqedonisë me 35 garues sot niset për në Stamboll, ndërsa një ditë më vonë udhëtimin e vazhdojnë për në Lisbonë ku dhe do të mbahet Kampionati Evropian për kadet, junior dhe gjeneratën U-21. Berat Jakupi dhe Doan Osmani janë përfaqësuesit e vetëm shqiptarë, ndërsa Jakupi do të tentojë të mbrojë titullin kampion Evrope. Para nisjes reprezentacionit të Maqedonisë pritje i ka bërë edhe presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov. 

Aduti kryesor në Lisbonë pa dyshim se do të jetë karateisti më i mirë i Maqedonisë, Berat Jakupi, për të cilin ky evropian do të jetë i fundit në kategorinë U-21 dhe Simona Zaborska. Synimi kryesor i Jakupit në këtë evropian do të jetë mbrojtja e titullit, pasi më njëherë e ka fituar. 

“Gjendem para një sfide të rëndësishme, mirëpo sinqerisht nuk ndjej presion se duhet patjetër të fitoi medaljen e arit. Jam përgatitur maksimalisht për këtë evropian dhe nëse me jepet rasti dhe me ndihmën e Zotit do të mundohem ta shfrytëzoj “, u shpreh Berat Jakupi para nisjes për në Portugali. 

Nga ana tjetër seleksionuesi i reprezentacionit të Maqedonisë deri 21 vjeç dhe trajner i Berat Jakupit, Arlind Huseini pohon se në Lisbonë ekspedita e karatesë shkon maksimalisht e përgatitur.  “Për ketë evropian kemi zhvilluar përgatitje intensive. Jemi përgatitur 7 ditë në Strugë dhe nga 15 stërvitjet e realizuara falë Zotit karateistët nuk janë ankuar në lëndime. Të gjithë karateistët janë të motivuar, në mesin e tyre edhe aduti ynë kryesor Berat Jakupi, nga i cili shpresojmë të fitojë medaljen e arrit edhe pse duhet thënë se konkurrenca do të jetë shumë e madhe. Duam që paraqitjen e tij të fundit për U-21 ai të kurorëzojë me arri, pasi ai e meriton këtë”, deklaroi Huseini. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button