Sela pranon të takohet me partitë jashtëparlamentare me ftesë të Shoqatës së ish të burgosurve politik
“Tani është koha që kësaj politike të mbrapshtë të këtij pushteti, që përmes sistemit të tyre politik të instaluar t’i themi bashkërisht dhe njezërisht NDAL! Prandaj, në cilësinë e subjektit politik që përfaqësoj, pra Lëvizja për Reforma – PDSH gjithherë ka vlerësuar se bashkërendimi i politikave në dobi të interesit të popullit shqiptar është më e rëndësishme se gjithçka tjetër, pasi përbën interesin parësor të shqiptarëve për t’i përfaqësues denjësisht”, thuhet në njoftimin e LR – PDSH-së, njofton Portalb.
“Thirrjes së Shoqatës së të Burgosurve dhe të Dëmtuarve Politikë të Shqiptarëv e çmojmë si një thirrje që duhet kushtuar rëndësi të veçantë, pasi kjo thirrje është për bashkëveprim dhe bashkërendim i opozitës jashtëparlamentare, ku njëmendësisht i themi PO thirrjes dhe i përgjigjemi pozitivisht këtij takimi, pasi duke e parë situatën politike në vend, në këto kohra të brishta politike për popullin shqiptar i duhet domosdoshmërisht të jemi të hapur për bashkëveprim dhe bashkërendim politik”, shtojnë nga LR – PDSH.
Përndryshe, kryesia e Shoqatës e të Burgosurve dhe e të Dëmtuarve Politik Shqiptarë në mbledhjen e saj të mbajtur në Shkup më 08.10 2016, vendosi t’u bëjë thirrje të gjitha partive opozitare jashtëparlamentare shqiptare që t’i përgjigjen kërkesës së Shoqatës për një takim me kryetarët e partive ose me zëvendësit e tyre me qëllim të komunikimit, bashkëpunimit dhe unifikim të votës opozitare jashtëparlamentare të shqiptarëve.
“Në takim do të prezantohet një ofertë, e cila kohë më pare është diskutuar me përfaqësuesit e BESA dhe LRPDSH. Oferta është e logjikshme, praktike dhe bashkëkohore. Njëkohësisht do ta demonstrojë forcën e vërtetë të shqiptarëve. Në rast se edhe kësaj radhe nuk do të lidheshim bashkë, atëherë do të na varin veç e veç, në rast se jo pushteti aktual, atëherë këtë do ta bënin brezat e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e Shoqatës e të Burgosurve dhe e të Dëmtuarve Politikë Shqiptarë.
Thirrje për bashkëpunim, ditë më parë bëri edhe kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, por për të njëjtën Sela tha se do ta shqyrtojë dhe pastaj do të del me qëndrim.