Drejtësia, 6 ligjet në pritje të votimit

Në Shqipëri parlamenti shqiptar po diskuton sot rreth paketës së ligjeve të domosdoshme për vënien në jetë të Reformës në Drejtësi. Opozita siç ka bërë të ditur do të japë votën e saj vetëm për ligjin për ngritjen e strukturave të posaçme antikorrupsion. Po sot pritet të votohet dhe për ngritjen e një komisioni hetimor lidhur me dyshimet për përgjime me anë të një pajisje të dërguar në Shqipëri nga policia italiane. Kërkesa e opozitës për referendumin kundër mbetjeve u shty për javën e ardhshme

Diskutimet e parashikuara për paketën e ligjeve që lidhen me reformën në Drejtësi po zvarriten nga ndërhyrjet dhe polemikat dhe për çështje të tjera jashtë rendit të ditës. Që përpara mesditës, debatet vetëm në pak raste janë përqëndruar në thelbin e 6 ligjeve që do të duhet të votohen sot. Për shumicën e majtë vendimi i djeshëm i opozitës e cila ankimoi në Gjykatën kushtetuese ligjin për rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve, është sipas saj dëshmi e faktit se opozita është kundër reformës: “Njërin ligj, më kryesorin, atë të vettingut e çuan dje në Gjykatën Kushtetuese në aleancë të hapur me korrupsionin dhe krimin dhe me mafien që mban peng sistemin e Drejtësisë. Ligjet e tjera që reflektojnë drejtpërdsëdrejti paketën e ndryshimeve kushtetuese dhe hapin rrugën për fillimin e zbatimit të normave të reja kushtetuese, i kanë ndarë në një menu ku thonë, këtë mund ta hamë këtë nuk duam ta prekim me dorë”, u shpreh kryeministri Rama.

Por opozita nga ana e saj u kundërpërgjigj se shumica ka shkelur konsensusin si dhe vetë ndryshimet kushtetuese që u miratuan në respekt të rekomandimeve të Komisionit të Venecias. “Mendon si një hajdut që të vjedhë e të shkelë parimet e kushtetuetës dhe të vendosë në ligje pikërisht ato që kundërshtoi Venecia. Jo vetëm në Gjykatë Kushtetuese do i çojmë, po në mënyrë absolute, nuk ka forum ndërkombëtar ku nuk do i çojmë. Dhe mos mendoni se gëlltisni dot ju sistemin e drejtësisë”, deklaroi ish kryeministri Sali Berisha.

Opozita ka bërë të ditur se ajo do të votojë vetëm në favor të ngritjes së strukturave të posaçme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë dhe ngritjen e Byrosë kombëtare të hetimit që së bashku me ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokuroëve, përbëjnë dhe pjesën më të rëndësishme të reformës, transmeton REL.

Po sonte parlamenti do të duhet të votojë edhe për ngritjen me kërkesë të opozitës të një komisioni hetimor lidhur me dyshimet për përdorimin nga ana e policisë të një pajisjeje të ardhur nga policia italiane për trajnimin e personelit të këtushëm. Kjo çështje, e cila përfshiu dhe autoritetet italiane, të cilat mohuan në mënyrë kategorike mundësinë që pajisja të përdorej për përgjime, hapi debate të mëdha pak muaj më parë. Prokuroria nisi një hetim i cili nuk ka përfunduar ende.

Ndërkohë kërkesa e opozitës për referendumin kundër mbetjeve urbane, u shty për javën e ardhshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button