Kosovë, vetëm 3 përqind e qytetarëve kanë plotësisht njohuri për MSA-në

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) dhe Grupi për Studime Politike dhe Juridike sot bëri prezantimin e hulumtimit për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA), me temën “Njoha e MSA-së nga qytetarët dhe perceptimet e tyre”, i financuar nga Ambasada e Holandës. Sipas rezultateve të këtij hulumtimi, vetëm 3 përqind e qytetarëve kanë plotësish njohuri për MSA-në, raporton Anadolu Agency (AA).

Leonora Kryeziu, drejtoreshë ekzekutive e PIPS theksoi se marrëveshja e Stabilizim Asociimit kërkon nga Kosova të implementojë reforma në sfera të shumta, për të cilat kosovarët kanë pak njohuri.

“Hulumtimi tregon se njerëzit të cilët janë të pakënaqur me situatën politike dhe ekonomike, janë po ata të cilët mendojnë se Kosova nuk është e përgatitur në implementimin e kësaj marrëveshje”, tha Kryeziu. Ajo shtoi se rekomandimi i këtij hulumtimi është informimi i qytetarëve për MSA-në, ku duhet të organizohet një fushatë informuese lidhur me të.

Alisa Hasani hulumtuese nga PIPS u shpreh se ky hulumtim është bazuar në 7 rajone të Kosovës, ku 91 përqind e pjesëmarrësve janë shqiptarë, 4.7 përqind serb dhe 3.3 përqind nga etnicitetet e tjera.

Duke bërë shpalosjen e rezultateve, Hasani u shpreh se kosovarët janë pro-evropianë, pra 93 përqind e qytetarëve mendojnë se Kosova duhet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian (BE). Ajo shtoi se shumica e qytetarëve besojnë se prania e BE-së në Kosovë mesatarisht e ka ndihmuar zhvillimin demokratik në vend.

“Më pak se 3 përqind e qytetarëve janë deklaruar se dinë plotësisht për MSA-në. Kurse 69 përqind janë deklaruar se kanë njohuri 10-50 përqind, kurse 20.8 përqind kanë thënë se kanë njohuri 60-100 përqind”, u shpreh Hasani.

Duke theksuar se rreth 50 përqind të qytetarëve nuk iu janë përgjigjur saktë pyetjeve të hulumtimit rreth marrëveshjes së MSA-së, Hasani u shpreh se “Shqiptarët kanë shumë pak njohuri sa i përket përmbajtjes së MSA-së”.

Në këtë prezantim të pranishëm ishin edhe Gerrie Willems, ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Kosovë dhe Thomas Gnocchi, udhëheqës i sektorit Politik, Ekonomik dhe Integrimeve Evropiane në Zyrën e BE-së në Kosovë.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe BE-së hyri në fuqi më datë 1 prill, marrëveshje e cila ka avancuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Unionit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button