Përkujtohet 21 janari, Rama: Pushkatime pa gjyq!

Në tre vjetorin e katër vrasjeve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara selisë së qeverisë, kryeministri aktual Edi Rama, tha se drejtësia duhet të bëjë drejtësinë për këtë ngjarje. 

Dy persona të akuzuar për çështjen ndodhen në burg me dënime minimale, por ky vendim nuk i ka kënaqur familjarët e viktimave. Shkaktarët e demonstratës së dhunshme nuk janë zbuluar dhe aq më pak të jenë akuzuar nga organet e hetimit.

“Ky bulevard nuk është më rruga e ndarjes mes pushtetit që të merr shpirtin, bukën e gojës dhe qytetarëve që ecin, tubojnë, protestojnë. Populli s’është më peng. Sot Shqipëria as rrezikon më të kthehet aty ku ishte në 21 janarin e 3 viteve më parë, as të rrijë në vend. Sot pushteti është kthyer në duart e popullit dhe qeveria është në krye të përpjekjeve të popullit për Shqipërinë evropiane”, tha Rama në ambientet e brendshme të Kryeministrisë ku ishin të pranishëm edhe familjarët e katër të vrarëve, transmeton gazeta Start.

Kreu i qeverisë i cilësoi pushkatime pa gjyq katër demonstruesve, megjithëse pranon se shumë gjëra kanë ndryshuar në Shqipëri që prej atëherë. “Shumë gjera kanë ndryshuar, kur shqiptarët e mbushur me dëshpërim dolën në bulevard për një rrënim që nuk e kishin dëshiruar. Por me e rënda, e më fyesja që nuk ka ndryshuar për Shqipërinë në mes të Evropës është ferri i sistemit të sotëm të drejtësisë, ku përvëlohen të varfrit të dobëtit, të pambrojturit, ferri ku përpëliten nënat që kërkojnë hakun e djemve të vrarë, fëmijët që shohin të lirohen kriminelët që çuan baballarët në dhe`. Ferri ku treten shpresat e shqiptarëve për barazi para ligjit e përqeshet një Shqipëri e tërë, mes ligjeve të shkruara dhe ligjësive të imponuara nga një pushtet drejtësie që tërë bota e sheh kërcënim antidemokratik për vendin, koha nuk pret, por shqiptarët nuk kanë më durim. Reforma e drejtësisë është imperativi i kohës, vendosja e saj në binarët e ligjit është ultimatumi i popullit sovran. Shqiptarët e kërkojnë me ngulm”, tha Rama. 

Lajme të ngjashme

Back to top button