MBI DIJEN DHE HARRESËN

Shkrimtari argjentinas Horhe Borges-i e ka një personazh që quhet Funes, i cili ka problem shumë serioz: kujton gjithçka dhe nuk mund të harrojë asgjë.

Shumëkujt do t’i dukej me fat, veçmas ata që kanë probleme me mbamendjen. Por Funesi përveç se nuk mund të harrojë ai nuk ka as gjykim kritik. Ai pranon gjithçka që i ofrohet.

Njëri ndër ata që harron mund të jem edhe unë, prandaj duke lexuar shënoj qoftë në margjinat e librit apo në fletore gjërat që mendoj se janë me interes. Fletoret e shumta nuk është se i ruaj me kujdes. Shënimet më ndihmojnë që t’ia dal me gjërat që i harroj. Mbase gënjej veten se duke rishkruar mendimet që më pëlqejnë do t’i mbaj mend më gjatë. Herë pas here u kthehem shënimeve të nxjerra prej librave dhe më duket sikur lexoj gjëra për herë të parë, shkruar prej dikujt tjetër. E ai Tjetri që i ka shkruar në fakt jam Unë.

Ndonjëherë çuditemi përse harrojmë shumë dhe mahnitemi me disa të tjerë që janë në gjendje të kujtojnë datat dhe orët e asaj që tregojnë.

Nuk kemi pse çuditemi. Jeta e atyre që kujtojnë detajet e parëndësishme sillet vetëm rreth tyre dhe nuk del jashtë këtyre kuadrateve. Dhe fjalët e tyre mund të duken si të urta, sepse janë thënë shumë herë, ndonëse shpesh aty nuk ka asgjë të veçantë.

Përse harrojmë shumëçka? Përse nuk jemi si Funesi?

Një përgjigje interesante e ka dhënë Stiv Jobsi. Sipas tij i mbajmë mend gjërat që janë të rëndësishme për ne.

Por t’i kthehemi Funesit dhe shtëpisë së tij të kujtesës, për ta trajtuar çështjen që na intereson.

Para se ta trajtojmë le t’i referohemi një tjetër eruditi, që e la këtë botë para disa kohe, pra Umberto Ekos, i cili i është referuar shumë veprës së argjentinasit, madje mund ta llogarisim si një pasardhës të tij, ndonëse shkrimtarëve të tipit Borges apo Eko u pëlqente të thoshin se e krijonin paraardhësin e tyre.

Ja çfarë thotë Umberto Eko: “Interneti është si një bibliotekë pa filtrim. E mira e bibliotekave, ashtu sikurse dhe e enciklopedive, nuk është vetëm që ruajnë kujtesën, por edhe që hedhin tutje ato gjëra që një kulture nuk i duhen. Nëse nuk do të hidhnim poshtë asgjë, do të ishim si “Funes el memorioso”, tek një tregim i Borges-it. Ky personazh kujtonte gjithçka: ishte një njeri me kujtesë totale, i paaftë që të arsyetonte, sepse ishte i paaftë që të filtronte. Interneti është si Funesi: përmban gjithçka, të vërtetën dhe të gënjeshtërtën, gjë që është një risk i madh, mbi të gjitha për të rinjtë”.

Dhe ja qëllimi: përse interneti nuk e zëvendëson librin. Libri i bën dijet e qëndrueshme nëpërmjet leximit vertikal. Libri e nxit procesin e analizës dhe të filtrimit. Librin na sjell informacione të një shkalle më të lartë, informacione që na e paraqesin një botë tjetër, simbolike, një botë nëpërmjet hyjnores gjuhë.

Xhevat Karahasan, shkrimtari i njohur boshnjak e ka një qasje shumë origjinale mbi librin (dijen) dhe informacionin (mediat).

“Gjuha dhe kujtesa na mundësojnë të komunikojmë edhe me atë që është humbur kaherë. Falë gjuhës ju jeni bashkëkohës i Platonit, Empedoklit, sepse gjuha e ruan kohën. Nëse tek Omar Khajami kam gjetur bashkëbiseduesin tim dhe kam filluar të bisedoj me të, unë vetëm se e përsëris atë që bëri në shekullin 19-të mësuesi im Gëte. Kjo më ndodh për shkakun se në kohën time nuk kam bashkëbisedues. Kudo hasni njerëz që kanë vetëm përgjigje dhe askush nuk ka pyetje. Të gjithë besojnë se informacioni është i barabartë me dijen. Ne harrojmë se fjala vetëm kalimthi e sjell informacionin. Fjala ka funksion shumë më të rëndësishëm dhe shumë më të thellë. Fjala ka kujtesë. Ajo kalimthi e mbart informacionin. Ne jemi afër shkallës që të besojmë se dija është e barabartë me informacionin dhe informacioni është i barabartë me shpirtin. Kjo nuk mund të jetë e saktë dhe në këtë ambient, ku njerëzit janë në gjendje që të besojnë kësi gjërash të pakuptimta, ju doemos duhet të ikni drejt të kaluarës dhe të kërkoni bashkëbisedues”.

Pra bazuar në tregimin e Borhesit, qasjen e Ekos dhe të Karahasanit, mund të themi se ne nuk mund të përfitojmë dije të thella pa librin. Ne s’i fikim apo s’i flakim celularët, tabletët. Na ofrojnë shumësi informacionesh dhe kjo shumësi informacionesh është sikurse mungesa e tyre. Po ne mund t’i shfrytëzojmë për të gjetur dijen. Për të gjetur librin. Për të gjetur bashkëbiseduesit tanë të vlefshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button