Kuvend, në vend të Katicës, Albin Kurti kryefjala e debatit

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë e kanë shfrytëzuar Komisionin për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive për ti shprehur bindjet e tyre partiake, duke e shndërruar kështu komisionin në fushatë parazgjedhore në momentin kur pritet që të diskutohet për raportin e prokurorit publik, Marko Zvërlevski dhe prokurores speciale, Katica Janeva, raporton Portalb.

Deputeti i BDI-së, Talat Xhaferri fjalimin e tij e ka ndërlidhur me retorikën nacionaliste të së premtes nga Vllatko Gjorçev, i cili apostrofoi deputetin Albin Kurti dhe poltikat e tij destruktive dhe bëri lidhshmëri me situatën e fundit në Maqedoni.

“Me fjalët që keni thënë keni bërë fyerje kolektive për shqiptarët, keni apostrofuar deputet të Kosovës, keni bërë nxitje në baza etnike dhe fetare. Nëse jeni kryetar i denjë i komisionit duhet t’i shqyrtoni deklaratat tuaja dhe të kërkoni falje publike. Unë nuk ndërhyj në pikëpamjet tuaja, por ju këtu e keni gabim”-deklaroi Talat Xhaferi.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev, tha se është i mendimit se Republika e Maqedonisë dhe Republika e Kosovës duhet të kenë bashkëpunim. Ai tha se i respekton institucionet e Kosovës , por se është kundër politikave të Albin Kurtit.

“Kryetari i Kosovës, kryeministri i Kosovës udhëheqin politika për normalizimin e marrëdhënieve në Ballkan, ndërsa Kurti udhëheq politika destruktive”-tha Gjorçev.

Ndërkaq Imer Aliu nga foltorja e Kuvendit ka thënë se nuk i bën përshtypje kërkim-falja e Gjorçevit edhe po të kërkonte.

“Ti përfaqëson shumicën. Ti duhet të kërkosh falje për politikat diskriminuese të kësaj qeverie, pjesë e së cilës është edhe BDI-ja. Ne që nga fillimi vendosëm të mos flasim duke u nisur nga maksima se duhet të heshtim kur flet drejtësia, por këtu u tha gjithçka vetëm për drejtësi nuk u fol. U tha se njëra prokurori i takon njërës parti e tjetra partisë tjetër. Por me gjithë këtë partizim të drejtësisë, sërish do të pësojnë shqiptarët.”-deklaroi deputeti i PDSH-së, Imer Aliu.

Sipas deputetit Shilegov tani kur po afrohen zgjedhjet foltorja po keqpërdoret për fjalime politike. Ai e akuzoi kryetarin e komisionit, Vllatko Gjorçev se nuk po e udhëheq komisionin siç duhet.

“Ne këtu kemi të bëjmë me tema serioze, duhet të flasim për raportin e punës së Zvërlevskit. Unë duhet ta pyes atë se sa kohë i duhet prokurorisë publike që të ngrejë një akuzë. Ndërkaq për këtë nuk jepet mundësi dhe foltorja përdoret për fushatë parazgjedhore dhe bëhet një luftë që deputetët të përfshihen nëpër listat për deputetë”-potencoi deputeti i LSDM-së, Shilegov.

Për momentin është duke vijuar Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie në mes bashkësive. Deputetët assesi të përqendrohen në temën e ditës, që d.m.th. në raportin e prokurorisë publike dhe raportin e prokurorisë publike speciale, por merren me diskutime ndër-partiake dhe ndër-etnike.

Kjo ishte deklarata e deputetit Gjorçev, nga dita e premte, që devijoi debatin në Kuvend:

”Maqedonia dhe Ballkani janë në një vend specifik. Unë nuk mund të pranoj që demokraci në Maqedoni të sjell Albin Kurti, i cili erdhi këtu në shesh për të na treguar demokraci. Albin Kurti, të nderuar zotërinj, i cili erdhi këtu në sheshin e Shkupit, erdhi këtu për të na sjellë ”Revolucionin Laraman”. Albin Kurti në dokumentet e partisë së tij në Kosovë nuk shkruan “Marrëveshja e Ohrit” dhe më shumë të drejta njerëzore, por qartë, e zeza në të bardhë shkruan qartë, lëvizja e madhe shtetërore. Nuk thotë vetëm pavarësi për Kosovën por thotë ribashkim që e prek edhe Republikën e Maqedonisë, ribashkim që e prek kryeqytetin e Maqedonisë, ribashkim që e prek Kumanovën, ribashkim që e prek Kërçoven dhe shumë fshatra tjerë të Maqedonisë. Të nderuar të pranishëm, Albin Kurti nuk mund të sjell demokracinë e tij në Maqedoni.”

 

_______________________________________________________________________________

Sot, në mesditë në kuadër të seancës së 120-të plenare, Komisioni parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive do ta vazhdojë debatin rreth Raportit për aktivitetet e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), debat ky që filloi të mërkurën e javës së kaluar.

Në rend dite të Komisionit është edhe Raporti vjetor për punën e Prokurorisë Publike në Republikën e Maqedonisë në vitin 2015, sidhe raporti për periudhën prej 15 marsit deri më 15 shtator të këtij viti.

Ndryshe, në Parlament për sot janë përcaktuar edhe seanca të Komisionit për financim dhe buxhet, të Këshillit buxhetor të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe të Komisionit Ligjdhënës juridik.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. po normalisht, politikanëve si neofashisti Gjorçev i cili mbante parolla dhoma gasi për shqiptarët i pengojnë mendimet e Albin Kurtit dhe shqiptarëve tjerë që mendojnë me kokën e vet, por ne si popull jemi fajtorë të vetëvehtes që me kohë këta politikanë (mafiozë) tanë kan lejuar që të bëjnë koalicione me albanofobë të përbetuar pa kushte e tash vështirë është të kundërvihesh se me kohë kemi lejuar matrapazë të tillë të sillen dhe flasin në mënyra të tilla milosheviqiane si rasti në fjalë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button