Vazhdojnë polemikat për Miss-n shqiptar, thyen heshtjen Agnesa Vuthaj

Miss Kosova 2016, që krijoi një zhurmë të madhe mediatike, veçanërisht në rrjetet sociale, për shkak të fitores së një argjentinase në krye të eventit, vazhdon akoma të jetë një temë e nxehtë. Të shumta qenë komentet dhe aludimet për një konkurs të paguar, madje edhe për të fituar kurorën e bukurisë.

Në programin NIN në Klan Kosova, mbrëmjen e së hënës, ka qenë e ftuar organizatorja e eventit, Agnesa Vuthaj. Pasi kishte heshtur përgjatë këtyre dy javëve pas organizimit të eventit, Agnesa është pyetur direkt pse fitoi Camilla nga Argjentina Miss Kosovën, nisur edhe nga zemërimi dhe reagimet e pafundme nga shqiptarët e Kosovës dhe më gjerë. Duke theksuar se nuk ka pasur asnjë lloj kompromisi, siç është menduar dhe komentuar shumë ditët e fundit në rrjetet sociale, Agnesa theksoi se vendimi për të shpallur Camilla-n si më të bukurën e Miss Kosovës është marrë nga të katra anëtaret e jurisë. Agnesa tha gjithashtu se nënshtetësia nuk është kriter, sepse çdo vit në Miss Kosova konkurrojnë shumë vajza shqiptare nga diaspora që nuk kanë pasaportë të Kosovës.

Nga ana tjetër, Camilla Barraza, ajo që zyrtarisht mban kurorën e Miss Kosovës, ka reaguar sërish në një status të gjatë në Instagram, duke shpjeguar pothuaj të gjithë rrugëtimin e saj nëpër evente të tilla. Mes të tjerash, Camilla u jep një përgjigje edhe të gjithë atyre që kanë aluduar se ky konkurs bukurie ka qenë i paguar. Duke postuar një foto me kurorën e Miss-it, si për t’u treguar të gjithëve se tashmë ajo është mbretëresha e Kosovës, Camilla shkruan:

“Kam punuar që kur isha 14 vjeç, shumë herë familja më ka dhënë para për të marrë pjesë nëpër konkurse, nëna i linte vëllezërit me xhaxhanë për të më shoqëruar në spektakle e konkurse të ndryshme, në punë, për të ndjekur ëndrrat e mia. Kam udhëtuar që kur isha 19 vjeç, pa miq, pa familje, vetëm…”

Më tej, Barraza shkruan se në Kosovë ka gjetur familjen e saj:

“Në Kosovë kam gjetur një ngjashmëri shumë të madhe me vendin tim, familjen time dhe jam shumë e lumtur që jetoj këtu. Sot, unë jam mbështetje për familjen time dhe gjithçka që mund të bëj është pasojë e përpjekjeve të mia. Nëse ka njerëz që nuk duan të më kenë përfaqësuesen e vendit të tyre që unë e dua si vendin tim… u kërkoj ndjesë, sepse nuk ishte qëllimi im t’ua shkaktoj këtë ndjesi. Qëllimi im është t’i rikthej Kosovës të gjithë atë eksperiencë të bukur që më ka dhënë ajo mua. Ju duhet ta dini që unë sot jam ajo që jam, Miss Kosova. Falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur në jetë, dhe jo sepse dikush ka paguar për mua për një konkurs bukurie, që i dashuri im është miliarder, apo gjëra të tjera të këqija që kam lexuar. Unë jam një vajzë që të gjithë energjinë e saj e shpenzon për t’u rritur e për të qenë e suksesshme, jam një vajzë që të gjithë energjinë e saj do ta çojë në mbështetje të Kosovës.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button