Çfarë është me rëndësi për gazetarinë, lajmi profesional apo klikimet?

[Recension: Ja se çka është më me rëndësi për Ministrat e BDI-së (FOTO)]

Pozita e ministrit është serioze dhe mjaft me rëndësi. Përgjegjësia e tij për punën që bën është çdoherë interes publik. Prandaj, gazetari, si gardian i këtij interesi, nga ministri duhet të kërkojë përgjegjësi për punën dhe veprimet, të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve.

download

Linku deri te artikulli origjinal: “Ja se çka është më me rëndësi për Ministrat e BDI-së (FOTO)”

Data dhe koha e publikimit: 14.09.2016

Data e recensionit: 20.09.2016

Recensues: Xhenis Sulimani

Mirëpo, lajmi që po e recensojmë është tendencioz. Në vend se të kërkojë përgjegjësi nga ministri për punën e tij, apo të transmetojë qëndrimin e tij dhënë për media për çështje për të cilat ka kompetenca, ai nëpërmes një fotografie sjell përfundime për atë se cilat janë prioritetet e Pishtar Luftiut. Përmes fotografisë ku shihen kollaret e ministrit, bëhet lajm ku konstatohet se ndërrimi i kollareve, të cilat shihen në foto, janë prioritet i kuadrit të BDI-së.

“Në kohën kur arsimi shqiptar në Maqedoni ballafaqohet me probleme të panumërta infrastrukturore, kuadrove dhe administrative, kujdesi i ministrit është i përqëndruar në kombinimin e kollareve të cilat zënë vend kyç në tavolinën e tij të punës”.

Kjo tezë mund të kthehet edhe ndryshe. Në kohën kur arsimi shqip po ballafaqohet me probleme të shumta, gazetari do të duhej të kërkonte përgjigje nga ministri se cilat janë planet e tij dhe mekanizmat për t’i tejkaluar problemet, e jo vëmendjen e publikut ta fokusonte te kollaret e tij duke bërë një konstatim të paargumentuar.

Ndoshta prezenca e këtyre aksesoreve të veshjes në tavolinën e një ministri gjatë një interviste për mediat flet për gafë të ekipit që kujdeset për imazhin e tij publik, ndoshta edhe dëshmon për papërvojën e ministrit në marrëdhëniet me mediat, mirëpo gazetari as që ka tentuar që të vështrojë këtë temë nga ky kënd, të kërkojë mendimin e ekspertëve për protokoll dhe marrëdhënie me publikun, etj. Ndoshta tema edhe do të ishte interesante të trajtohet, për shembull, në rubrikë të modës apo në rubrikat rozë. Mirëpo, ky nuk është rasti me këtë përmbajtje.

Informacionet e këtilla tregojnë mosseriozitet dhe mosrespektim të standardeve gazetareske. Kjo tendencë jep pasqyrë ndryshe në opinion për gazetarinë në përgjithësi. Prandaj, produkte gazetareske të këtilla nuk duhet të zënë vend në media, për faktin se në këtë mënyrë media devijon nga krijimi i besueshmërisë së opinionit.

 


Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button