Delegacioni i Maqedonisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov prej sot deri më 23 shtator, do të qëndrojë për vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në seancën e 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Ivanov, siç njoftojnë nga kabineti i tij, do të mbajë një fjalim në debatin e përgjithshëm të seancës së 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me temë “Qëllime të qëndrueshme zhvillimore: trysni universale për transformimin e botës sonë”.

Ndërkohë, presidenti Ivanov do të adresohet edhe në seancën plenare të takimit në nivel të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kushtuar lëvizjeve të mëdha të refugjatëve dhe migrantëve.

Më tej nga kabineti presidencial njoftojnë se në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është parashikuar që presidenti Ivanov të realizojë takime me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, si dhe takime tjera bilaterale me drejtues të shteteve dhe qeverive, pjesëmarrës në Asamblenë e Përgjithshme.

Gjatë vizitës së tij në New York, presidenti Ivanov do të realizojë takim me përfaqësuesin e lartë të OKB-së për Aleancën e Civilizimeve, Nasir Abdulaziz Al-Naser dhe do të nënshkruhet në Memorandum për bashkëpunim mes FOC – Fondacionit Aleanca e Civilizimeve nga Shkupi dhe UNAOC – Aleanca e Civilizimeve të Kombeve të Bashkuara.

Në delegacionin zyrtar të kryesuar nga presidenti Ivanov është edhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Poposki.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button