Schulz: Kriza e refugjatëve nuk mund të zgjidhet përmes referendumit

Kancelarja gjermane Angela Merkel në Bratislavë, ku po mbahet Samiti i Bashkimit Evropian, deklaroi se nuk duhet të presim që problemet e Evropës të zgjidhen me një samit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Samitin e liderëve të 27 vendeve anëtare të BE-së do të diskutohet rreth të ardhmes së Unionit pas largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja (Brexit), kriza e emigrantëve, situata në Ukrainë, rreth ekonomisë dhe lufta kundër terrorizmit.

Përveç liderëve të 27 vendeve anëtare, në samit marrin pjesë edhe Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk dhe presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker.

Samiti, i cili po mbahet nën masa të larta të sigurisë, është duke u ndjekur nga më shumë se 1300 gazetarë nga 79 vende.

Britania e Madhe e cila vendosi të largohet nga BE-ja, nuk u ftua në samit. Përveç kësaj, kjo është hera e parë që nga viti 2010 që takimi i liderëve të BE-së të mbahet jashtë Brukselit.

Kancelarja gjermane shtoi se fokusi do të jetë në zgjidhjen e krizës së emigrantëve dhe mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së. Merkel theksoi se kanë si synim arrijnë marrëveshje rreth këtyre çështjeve dhe të bëjnë hapa konkretë.

“Nuk duhet të presim që menjëherë me një samit të zgjidhim problemet e Evropës, jemi në një periudhë kritike”, tha Merkel, duke shtuar se do të vazhdojë angazhimi rreth çështjeve kryesore nga samiti i Bruksel deri në Samitin e Bashkimit Evropian në Romë organizimi i të cilit është planifikuar për në mars teëë vitit 2017.

Ajo theksoi se duan të punojnë dhe ti zgjidhin së bashku problemet e Evropës me shpresën se samiti në Sllovaki do të dëshmoj këtë.

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico shpreson se diskutimet e samitit do të jenë të frytshme.

“Do të kemi diskutime të sinqerta. Duam të tregojmë se jemi të bashkuar. Uniteti duhet të vazhdojë”, tha Fico.

Kryeministri grek Alexis Tsipras tha se Evropa ka nevojë për një vizion të ri.

“BE duhet nëpërmjet rrugës njerëzore të zgjidhë krizën e emigrantëve”, konsideron Tsipras.

Christian Kern, kryeministri i Austrisë, tha se do të diskutohet rreth sigurisë, krizës së emigrantëve dhe për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së. Kern shtoi se vendet e BE-së duhet të ndihmojnë Bullgarinë në luftën kundër migrimit ilegal.

Kern foli edhe për negociatat midis BE dhe Turqisë.

“Turqia deri më tani ka përmbushur detyrimet e saj. Unë mendoj se edhe në të ardhmen do të vazhdojë kështu, por nuk ka asnjë garanci. BE-ja me siguri nuk duhet të kapet e papërgatitur”, tha ai.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz në konferencën për media tha se BE do të jetë një union i fortë, sa kohë që anëtarët e duan. Schulz konsideron se problemet nuk mund të zgjidhen duke kritikuar dhe shtoi se refugjatët duhet ndihmuar.

I pyetur për çështjen e mbajtjes së referendumit mbi sistemin e kuotave të cilin planifikon të mbajë Hungaria, Schulz tha se kriza e emigrantëve nuk mund të zgjidhet me referendum.

“Emigrantët kanë ardhur dhe ne duhet të zgjidhim këtë problem. Nuk mendoj se referendumi mund të zgjidh problemet”, tha ai.

Pas përfundimit të Samitit, konferencë për media do të mbajnë presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk dhe Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button