MARRËVESHJE PËR “MARRËVESHJEN”

Mos ju vijë çudi që votuesit fiktivë maqedonas nuk u hoqën nga lista edhe pas zënkave ndërmjet dy partive politike ekskluzivisht maqedonase. Them ekskluzivisht maqedonase, pavarësisht se me çfarë “cellofanësh qytetarë”  mbështillen, sepse e duan vetëm shqiptarin me identitetin e Kokosë, pra shqiptarin si origjinë, por që mendon maqedonisht, që është vetëm brenda skemave të tyre të të menduarit e të të vepruarit.

Kam shumë arsye të dyshoj se ka filluar zbatimi i “marrëveshjes” së pashkruar që nga koha e pavarësimit të Maqedonisë nga Jugosllavia federale.

Sipas “marrëveshjes” partitë dominuese maqedonase, për të ruajtur dominimin demografik maqedonas kundrejt shqiptarëve, shpikën qindra mijë votues fiktivë, që dyshohet se i ndanin mes vete.

Institucionet relevante ndërkombëtare përgjatë këtyre viteve e kanë theksuar këtë mashtrim.

Në Maqedoni ka pasur dhe ka votues fiktivë. Këtë e di çdokush dhe askush nuk ka nevojë që të na bind. Ky shtet ka pothuajse po aq votues sa ka banorë. Sipas kësaj logjike i bie se këtu kanë të drejtë vote edhe foshnjet e porsalindura. E megjithatë jo të gjithë kanë të drejtë vote, pavarësisht se çfarë na thotë kushtetuta e ligjet. Dikush është privuar nga e drejta e votës. Është nxjerrë përtej ligjeve që thuhet se i garantojnë këtë të drejtë qytetare.

Shifrat e përmendura kohëve të fundit nga LSDM për qindra mijë votues fiktivë duket se janë të sakta. Këto shifra i dinë të dy partitë politike maqedonase. Por me kalimin e kohës askush më nuk i përmend.

Si duket kur pushteti i Gruevskit filloi mos ja jepte pjesën e votuesve fiktivë LSDM-së, atëherë filluan përplasjet për pastrim të listës zgjedhore. Por lista nuk u pastrua dhe partitë maqedonase sërish e heshtën këtë problem. Si duket u arrit marrëveshja që të realizohej “marrëveshja”. Sakaq  votues fiktivë u shpallën shqiptarët, pra fajtorët kujdestarë për shkak të mungesës së kujdesit nga ata që morrën votën e tyre. Kështu u hoqën nga lista 40 mijë votues, shumica shqiptarë dhe ca votues maqedonas, sa mos thuhej se lista ishte “etnikisht e pastër”.

Kohëve të fundit janë bërë shumë kompromise. Si duket edhe heshtja e partive maqedonase për votuesit fiktivë dhe regjistrimin korrekt është kompromis. Diskursi për “shtet qytetar” nuk është tjetër veçse dredhia e radhës që ua bëjnë shqiptarëve pa asnjë akces në institucionet kryesore në shtet.

Ai që manipulon me statistikat, manipulon me gjithçka. Pastaj pason mashtrimi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button