Erdogan sqaron detajisht operacionin “Mburoja e Eufratit”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, lidhur me ofensivën “Mburoja e Eufratit”, deklaroi se ndonëse organizatat terroriste të këtij rajoni (Siria veriore) këmbëngulin që të formojnë korridor të terrorizmit, lufta kundër terrorizmit do ta bëj këtë korridor të paqes, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan fali namazin e Bajramit në xhaminë e parkut që mban emrin Fatih në Stamboll, ndërsa në fjalimin para mediave pas daljes nga xhamia, uroi festën të gjithë qytetarëve të Turqisë por edhe muslimanëve në mbarë botën.

Ai theksoi se edhe një Bajram në rajon dhe botë pritet me shumë problem, dhe shtoi se Turqia vazhdon luftën kundër terrorizmit, pa marrë parasysh ditëve të Bajramit apo ditëve tjera. Kur është fjala për bombardimin e rajonit sirian Jarabulus, Al-Raij, Halep, Erdoğan tha se nëse mbahet fjala duhet të hyjë në fuqi armëpushimi 48 orësh.

“Nëse kjo ka sukses, do të tentojmë ta vazhdojmë në një javë, nëse edhe kjo ka sukses, do të tentojmë të punojmë edhe në periudhë më të gjatë”, tha Erdoğan. Ai shtoi se në këtë temë pati rastin të bisedojë edhe me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Barack Obama gjatë Samitit G20, të zhvilluar në Kinë.

Erdoğan tha se Kombet e Bashkuara dhe Gjysmëhëna e Kuqe sonte do të fillojnë me dorëzimin e ushqimit, veshmbathjeve dhe lodrave për fëmijë, kryesisht në Halep. Po ashtu, Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë dhe AFAD punojnë në dorëzimin e ndihmave në rajonet tjera siriane si në Jarabulus dhe Al-Raija.

Në pyetjen e gazetarëve për atë se çfarë do të ndodh pas operacionit “Mburoja e Eufratit”, Erdoğan tha se në fillim plani ka qenë të shkohet në 90-95, konkretisht 40-45 kilometra në gjerësi dhe gjatësi.

“Ky plan nuk ishte vetëm plan i Turqisë. Për këtë kemi biseduar me të nderuarit Obama, Putin dhe Merkel. Theksuam ‘eja të arrijmë sukses për këtë”, tha Erdoğan duke shtuar se atëherë edhe vetë ka rekomanduar formimin e “zonës së ndalesës për fluturim”.

“Së bashku me këtë zonë përgatisim edhe një zonë të sigurisë. Çfarë është kjo zonë e sigurisë? Është pikërisht ajo hapësira prej 90-95 ose 40-45 kilometra. Kjo në të njëjtën kohë është mbrojtje e kufijve tanë nga elementet kërcënuese. Për këtë bëhet fjalë dhe kjo le të dihet. Çfarë ka më të natyrshme se kjo?”, tha presidenti i Turqisë.

Presidenti turk kujtoi faktin se vendi i tij kufizohet me Sirinë në gjatësi prej 911 kilometrave, dhe tha se ky kufi gjithmonë do të ekspozohet në rreziqe.

“Pse banorët tonë në Kilis në mënyrë konstante të jetojnë nën kërcënim, po ashtu edhe në Gaziantep apo në Shanliurfa pse njerëzit të jetojnë në rrezik? Detyra kryesore e shtetit dhe Qeverisë është që të mbrojë territorin tonë nga rreziqet dhe frika e qytetarëve në këtë aspekt. Ne një kohë të gjatë ishim të durueshëm. Por pas sulmit në Gaziantep humbën jetën 56 persona, në mesin e të cilëve 29 apo 30 prej tyre më të ri se 18 vjeç. 100 persona u lënduan. Gjithë këtë e bënë me një vetëvrarës 14 vjeçar me bombë. A mos është dashur edhe pas kësaj të heshtim”, pyeti Erdoğan. Ai po ashtu tha se organizatat terroriste PYD, YPG dhe DAESH në këtë pjesë këmbëngulin që të formojnë korridor terrorist.

“Ne me luftën tonë do të bëjmë që ky të mos jetë korridor i terrorizmit, por korridor i paqes. Doemos duhet prej kësaj të bëjmë një zonë të sigurtë. Të gjitha hapat tona aktuale janë në këtë drejtim dhe vendosmëria jonë në këtë aspekt do të vazhdojë”, porositi Erdoğan.

I pyetur të komentojë edhe emërimin e drejtuesve të rinj lokal në 28 bashki turke, pasi kryetarët e dikurshëm u pezulluan për shkak të mbështetjes ndaj organizatave terroriste PKK dhe FETO, Erdoğan tha se konsideron se kjo duhej të bëhej më herët. “Sigurisht, kjo nuk është kurrfarë lajmi i ri. Konsideroj se kjo duhej bërë edhe më herët. Unë doja që kjo të bëhet edhe më herët. Pse? Këtë e them si njeri, që ka ushtruar postin e kryebashkiakut. Nëse jeni zgjedhur për këtë post kjo nuk do të thotë se mund të bëni çfarë të dëshironi. Nuk keni autorizime të tilla. Autorizimet e juaja janë që në qytetet tuaja të ndërtoni infrastrukturë dhe të jeni në shërbim të qytetarëve tuaj”, porositi presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button