Izraeli së shpejti nis ndërtimin e murit nëntokësor në kufi me Gazën

Autoritetet Izraelite kanë vazhduar punimet për mbylljen e tuneleve nën kufijtë e Rripit të pushtuar të Gazës, ndërsa grupet palestineze njoftuan se do të mbrojnë këtë rrjet të vetëm të komunikimit me botën e jashtme, të cilën e quajnë edhe “thesar strategjik”, raporton Anadolu Agency (AA).

Gazeta “Yediot Ahranot” shkruan se Ministria izraelite e Mbrojtjes ka shpallur tender për ndërtimin e një muri betoni nëntokësor në kufirin e Gazës, në të cilën janë lajmëruar 20 kompani.

I njëjti burim njofton se katër kompanitë që ofrojnë kushte më të favorshme për ndërtimin e murit, muajin e ardhshëm do të fillojnë me ndërtimin e tij, dhe pritet që një mur i tillë nëntokësor të ndërtohet përreth kufijve të Gazës.

“Pjesa më e madhe e murit do të jetë nën tokë, dhe vetëm disa pjesë të shkurtra do të zgjaten mbi sipërfaqen e tokës. Qëllimi i murit ndarës është për ti bllokuar tunelet, që të kalojnë nën kufi. Bëhet fjalë për një projekt ndërtimi kompleks i cili do t’i eliminojë të gjitha kërcënimet që paraqesin tunelët e fshehur”, thoshte gazeta, duke shtuar se për ndërtimin e murit është e domosdoshme edhe pjesëmarrja e kompanive perëndimore me përvojë.

Ushtria izraelite në prill zbuloi një tunel i cili kalonte nën kufi për të cilin pretendon se është përdorur për operacione sekrete nga Hamasi.

Gjenerali palestinez në pension dhe eksperti ushtarak, Vasif Ureykat deklaroi se grupet palestineze të rezistencës, të udhëhequr nga krahu ushtarak i Hamasit me Brigadën Ezzeddine al-Qassam, do të vazhdojë me zhvillimin e rrjetit nëntokësor të komunikimit.

“Grupet e rezistencës palestineze këto tunele i konsiderojnë si thesare strategjike. Me siguri se do të bëjnë përpjekje maksimale për ti mbrojtur ato. Paralelisht me projektin izraelit për ndërtimin e murit ndarës nëntokësor, grupet palestineze do të punojnë për zhvillimin e një sistemi për tejkalimin e kësaj pengese fizike”, tha Ureykat.

Po ashtu edhe analisti ushtarak Adnan Abu Amir konsideron se Izraeli nuk do të mund lehtësisht të shkatërrojë tunelet palestineze sepse grupet palestineze janë të përgatitura dhe të vendosura për të avancuar këtë rrjet për të thyer bllokadën absolute të rajonit.

Analisti ushtarak izraelit, Asaf Gabron në një raport të publikuar nga e përjavshmja “Makor Rishon” deklaroi se Izraeli është duke bërë përpjekje të mëdha edhe përmes arritjeve të zhvilluara teknologjike në luftën kundër tuneleve palestineze, dhe se e gjitha kjo bëhet në fshehtësi të madhe.

“Po bëhen përpjekje të mëdha për të parandaluar rrjedhjen e informacioneve në lidhje me këto projekte. Qeveria izraelite po mbanë takime sekrete për luftën kundër tuneleve. Ka rezultate dhe ato tregojnë përparime të mëdha të Izraelit në këtë luftë”, thuhet në raportin e Gabron.

Raporti gjithashtu thekson se Hamasi 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë punon në gërmimet e këtyre tuneleve sekrete dhe supozohet se për këto qëllime shpenzon qindra milionë dollarë.

Gjeologët izraelitë besojnë se muri ndarës nëntokësor do të jetë një pengesë e madhe për gërmuesit e tunelit të Hamasit për shkak se deri më tani nuk janë përballur me pengesa të tilla në Rripin e Gazës, ku rreth 80 përqind e tokës përbëhet nga rëra.

Ndërtimi i murit do të jetë aspekt i tretë i luftës izraelite kundër tuneleve, ndërsa në vitin 1994 dhe 2005 ishin vendosur lloje të ndryshme të gardhit me tel në kufi.

Nën pretekstin e luftës kundër tuneleve sekrete të Hamasit, Izraeli dy vjet më parë kreu sulme të tmerrshme në Gaza. Gjatë sulmeve 51-ditështe, të cilat Izraeli i filloi më 7 korrik 2014, u vranë mbi 2.000 palestinezë dhe u plagosën mbi 12.000 të tjerë. Sulmet u ndërprenë me marrëveshje armëpushimi që u arrit në bisedimet në Kajro më 26 gusht të atij viti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button