KEMM: Qytetarët më shumë ankohen nga shkrimet në portale, mediat të kenë kujdes!

Dhjetëra ankesa, prej të cilave më së shumti kundër portaleve, nënvizojnë probleme të ndryshme në raportimin profesional të mediave në Maqedoni, njoftoi sot Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë, në konferencën për shtyp të mbajtur në BE- Info Qendër, raporton Portalb. Me këtë rast përfaqësuesit e Këshillit bënë thirrje që të gjitha mediat t’i përmbahen rregullave etike, e cila veçanërisht është e rëndësishme gjatë kësaj periudhe parazgjedhore.

Drejtoresha e Këshillit, Marina Tuneva theksoi ndër tjerash rolin e rëndësishëm që RTM ka në formimin e opinionit publik, sidomos në një periudhë parazgjedhore si kjo. Prandaj është me rëndësi të informuarit drejtë, në mënyrë profesionale, etike dhe objektive.

Kryetari i Këshillit për Etikë në Mediat e Maqedonisë, Mirçe Adamçevski deklaroi se në periudhën dymujore Këshilli ka pranuar dhjetëra ankesa, të cilat më së shumti u janë drejtuar portaleve, për shkak se të njëjtat nuk janë të rregulluara me ligj, por në mënyrë vetërregulluese. Sipas tij, ankesat kryesisht kanë të bëjnë me mungesë të palës së dytë e të tretë; përzierje të mendimeve dhe fakteve; komentime pa fakte; gjuhë të urrejtjes dhe diskriminim në baza të ndryshme në tekstin e përpunuar.

Gjithashtu, kryetari i Bordit Udhëheqës, Dragan Antonovski bëri thirrje që të gjithë të punojnë në vetëdijësimin dhe zhvillimin e konceptit të vetërregullimit, “Ju ftoj bashkërisht të punojmë për vetërregullimin”.

Përndryshe, në fillim të vitit 2016 Portalb e nënshkruajti Kartën për raportim etik për zgjedhjet, të propozuar nga Këshilli për Etikë në Mediumet e Maqedonisë (KEMM).

Kjo kartë parasheh që nënshkruesit t’u përmbahen këtyre parimeve:

Parimi i vërtetësisë dhe objektivitetit

  • Që nënkupton kërkimin e të vërtetës dhe raportimin korrekt, përmes transmetimit të fakteve në mënyrë të qartë. Në rast të publikimit të informacioneve të pasakta, media do të bëjë çmos që t’i korrigjojë informacionet e tilla.

Parimi i ekuilibrimit

  • Që nënkupton paraqitjen e qëndrimeve dhe pikëpamjeve të ndryshme në kontekstin e vërtetë dhe duke mos anuar nga cilido kandidat, parti a koalicion.

Parimi i dallueshmërisë së qartë midis informacioneve dhe komenteve

  • Që nënkupton se informacionet do të formësohen në atë mënyrë që publiku do ta ketë të qartë dallimin midis fakteve, vlerësimeve e opinioneve.

Parimet e ndershmërisë dhe neutralitetit

  • Që nënkupton se media do të përdorë qasje të ndershme në marrjen e informacioneve dhe në paraqitjen e tyre, duke shmangur paraqitje sensacionale të temave dhe ngjarjeve, si dhe të supozimeve të cilat do të mund ta mashtronin publikun.

Parimi i solidaritetit profesional 

  • Gjatë punës së saj, media do ta nxisë solidaritetin reciprok dhe pluralizmin e qëndrimeve, dhe nuk do të veprojë në atë mënyrë që do të nënkuptonte qërim hesapesh me mediat dhe kolegët tjerë.

Parimi i pavarësisë redaktuese dhe integritetit profesional

  • Media detyrohet të raportojë në mënyrë të pavarur prej çfarëdo pikëpamjeve personale, interesave të jashtme dhe ndikimeve që do të mund ta rrënonin pavarësisë redaktuese dhe integritetin profesional.

Parimi i respektit dhe tolerancës

  • Që nënkupton respektimin e dinjitetit, reputacionit, të drejtave dhe integritetit personal të individëve gjatë informimit të publikut. Në raportimin e saj, media nuk do të përdorë stereotipe, paragjykime dhe nënçmime në asnjë mënyrë dhe nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes.

Parimi i lirisë dhe përgjegjësisë

  • Që nënkupton se liria ju imponon përgjegjësi mediave për formën dhe përmbajtjen e porosive që ua drejtojnë publikut, dhe për pasojat që rrjedhin prej tyre mbi mjedisin më të gjerë shoqëror./Portalb.mk

LEXO: KEMM: Mbi 120 ankesa për veprime joetike të medieve

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button