A ISHTE KONICA PROAUSTRIAK?

Për shumëkë Faik Konica është njëri prej shqiptarëve më mendjendritur të të gjitha kohërave, po nuk janë të paktë as ata që vazhdojnë ta përbaltin duke e quajtur shitës të interesave të atdheut. Ndër “mëkatët” e tij kundërshtarët përmendin raportet që kishte me Austro-Hungarinë, si njërën prej superfuqive të kohës. Të tillët edhe pas vdekjes e akuzojnë për proaustriak, gjë të cilën Konica nuk e fshehu kurrë, sepse nuk kishte asnjë arsye ta bëjë këtë. Konica i ri dhe i apasionuar pas letërsisë e artit besonte se: e bashkuar me Austrinë, Shqipëria do të zhvillohet lirisht në pikëpamje nacionale, ekonomike dhe intelektuale.

Nga letërkëmbimi i dendur i tij me diplomatët austro-hungarezë rezulton se kurrizi i Faik Konicës nuk u përkul kurrë si kurriz kolaboracionisti. Përkundrazi: në mungesë institucionesh shtetërore, Ai bëri çmos për të ndryshuar kahjet e ngjarjeve që zhvilloheshin në disfavor të Shqipërisë, u perpoq ta ndihmojë çështjen e pazgjidhur shqiptare dhe të ndreqë atë që mund të ndriqej pas copëtimit të kobshëm të tokave tona.

Po, t’i lëmë këto çështje dhe të shpalojmë pak konceptin e Konicës rreth asaj pse duhet vënë kontakte me të huajt, me shtetet që nuk mund të jenë të dëmshme për Shqipërinë, duke qenë gjeografikisht larg territorit të saj. Ai, sado i ri në moshë, e kuptoi se për të mbijetuar duhet: të imitojmë armiqtë tanë; të bëhemi konspiratorë dhe intrigantë…, nëse dëshirojmë t’i shpëtojmë vdekjes kolektive.

A s’hedh ky qëndrim dritë mbi qëllimet dhe lojën e vërtetë të Konicës në raportet e tij me austriakët dhe me të tjerët më pastaj?

Besimi i Konicës se pikërisht Austria do jetë ajo që do ta ndihmojë mëkëmbjen e Shqipërisë bazohej edhe në elemente jashtëpolitike. Në letrën dërguar Theodor A. Ippen-it – konsullit të Austro-Hungarisë në Shkodër (1897), Konica shkruan: Konsujt e Austrisë kanë ndihmuar, kush më pak e kush më shumë, në rilindjen shqiptare. A nuk ishte një konsull i Austrisë Hahni, i cili punoi dhe mendoi plot tridhjetë vjet për botimin e monumentit të parë e të çmuar mbi shqiptarët?

Për ata që lexojnë vetëm pjesërisht letrat e Konicës dërguar personaliteteve të rëndësishme të politikës evropiane dhe jo vetëm, ndjenja e parë që ua xigëlon shpirtin vërtet mund të jetë dyshimi. Në kokën e tyre natyrshëm mund të lindë pyetja: Ç’po ndodhte me këtë njeri që kishte, pa dyshimin më të vogël, formimin që do t’ia lakmonin eruditët e klasës së parë? Si qe e mundur që, fjala vjen, gjatë pushtimit otoman të ishte proaustriak e antiturk, kurse, më 1916, kur Austria shtriu kthetrat e saj në pjesën veriore të Shqipërisë, u bë proturk dhe antiaustriak?

Përgjigja është e thjeshtë: keqkuptimet i sqaron më së miri leximi i plotë i veprave të Konicës, që ta bëjnë më të afërt kohën e tij. Paskëtaj, sakaq e kupton se fajin për ndryshimet në disponim ndaj fuqive e personaliteteve të caktuara nuk e mbante Konica, po ndryshimet e befta e krejt të papritura të situatave politike, në vorbullën e të cilave u gjet shpesh dhe gjysëmshteti i pafuqishëm shqiptar, të cilit i rrezikohej vazhdimisht ekzistenca.

Njohja e veprës së tij gjithsesi e nxjerr në syprinë dhe angazhimin dinjitoz të Konicës për vendosjen e raporteve bashkëpunuese me qeveritarët e Austrisë. Për këtë më së miri flet letra e tij e 26 nëntorit të vitit 1897, dërguar Baronit Golluhovski në Vjenë, ku katërcipërisht hedh në baltë dhe i shndërron në shpifje të pastra akuzat për lojalitet të tepruar. Gjërat që i kërkon Ai në këtë letër janë programe ndoshta më të mira se ato që kanë sot shqiptarët e shkapërderdhur nëpër shtetet ballkanike e që kërkojnë të futen brenda kornizave të organizmave të njohura euro-atlantike. Konica, në tri pika, shtron planin e tij të përpunuar gati në detaje, ku përparësi i jep shkollës shqipe, mosndasive fetare, mosmbetjes së Shqipërisë nën mëshirën e shteteve fqinje, siç mjerisht ndodhi me më shumë se gjysmën e territorit të saj etj., etj. Pikërisht kjo frikë e fiksuar në mendjen e ndritur të Konicës e shtyri që të bëjë dhe gjëra që nganjëherë i japin pamjen e një njeriu lojal. Po kjo duket kësisoj vetëm nëse i kundrojmë brengat e tij të mëdha nga distanca e rehative të dekadave të mëpastajme.

Në fakt ndoshta është më e drejtë të thuhet se Konica nuk qe kurrë as proaustriak as proturk i mirëfilltë, sepse natyra e tij e dyshimtë nuk ia lejonte këtë tip zeje. Ai, thjesht: ishte pro vijës së tij të luftës që do t’i siguronte Shqipërisë një indipendencë të vërtetë. Është e njohur se ai ndërroi shpesh disponimin e tij ndaj shteteve më të fuqishme se Shqipëria, veçmas ndaj shteteve që kishin mundësi t’i lëvizin gurët e kufijve ballkanas me vend e pa vend. Po duhet ta dimë se kohët ishin të tilla, kohë kur pushtuesit vinin e iknin orë e çast…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button