Shqipëria 20 milionë euro nga Italia për financim të projekteve

Miratohet Vendimi për “Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, për Konvertimin e Borxhit për Zhvillim”

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot Vendimin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Konvertimin e Borxhit (IADSA 2) ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Italisë. Marrëveshja e Konvertimit të Borxhit për Zhvillim parashikon mospagimin e detyrimeve që Republika e Shqipërisë i detyrohet Qeverisë Italiane kundrejt borxhit të huazuar prej kësaj të fundit (interes + principal), deri në shumën 20 milionë euro. Këto shuma do të depozitohen në 9 këste, në një Llogari Fondi Kundërparti pranë Bankës së Shqipërisë.

Programi i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim, është i orientuar në financimin e projekteve të identifikuara bashkërisht nga palët nëpërmjet thirrjeve periodike për propozime, duke pasur si objektiv promovimin e kohezionit social, zhvillimin rajonal të balancuar, barazinë sociale dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Marrëveshja për fazën e dytë të programit – IADSA 2, miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave në nëntor 2015, u nënshkrua nga Ministri i Financave z. Arben Ahmetaj dhe Ambasadori i Italisë në Shqipëri z. Alberto Cutillo në 17 qershor 2016.

Në fazën e parë të Programit, janë financuar gjithsej 42 projekte për një vlerë totale prej 15,6milionë euro. 14 projekte janë përfunduar me sukses, 17 projekte janë në zbatim, ndërsa 11 projektet e përzgjedhura nga thirrja e katërt (maj 2016) janë në fazën e tyre fillestare. Përmes projekteve të finalizuara dhe atyre në fazën përfundimtare të realizimit, është mundësuar rikonstruksioni në mënyrë bashkëkohore i 5 shkollave, 3 kopshteve dhe 3 qendrave sociale në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe rikualifikimi nëpërmjet rrugëve të reja, urave të vogla dhe kanalizimeve nӫ disa bashki tӫ vendit..

Gjithashtu 4 projekte kanë ndërhyrë në përmirësimin e infrastrukturës bujqësore dhe turistike duke rritur punësimin dhe vetëpunësimin në zonën e Përmetit, Barmashit, Skraparit dhe Vaut të Dejës. Në sektorin e shëndetësisë ka pasur një përmirësim të ndjeshëm të kushteve të Qendrës Kombëtare të Gjakut, e cila sot është pajisur me mjete dhe aparatura bashkëkokohore, në Repartin Onkologjik të QSUT, me blerjen e pajisjeve të reja për kemioterapi dhe përmirësimin e ambienteve dhe së fundmi në sistemin e dixhitalizmit të recetave dhe diagnostikimeve mjekësore.

Në sektorin social është ndërhyrë në Bashkinë e Fierit me rikonstruksionin dhe pajisjen e një Qendre ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara si dhe në Shkodër e Tiranë nëpërmjet përmirësimit të kushteve në 4 struktura të shërbimit social kombëtar për fëmijët dhe të moshuarit. Hapësirë kanë gjetur edhe inkubatorët e biznesit, duke financuar rikonstruksionin dhe pajisjet për 2 të tillë, në Korçë dhe Tiranë. Arsimi profesional është financuar nëpërmjet 2 projekteve që parashikojnë blerjen e makinerive të reja, ristrukturimin e ambienteve dhe trajnimin e personelit në 2 shkolla profesionale, përkatësisht në Durrës  dhe Shkodër. Në maj 2016, u përzgjodhën 11 projekte fituese të thirrjes së katërt, të cilët do të përfitojnë një financim prej rreth katër milionë euro, projekte të cilat i përgjigjen nevojave konkrete të target grupeve të caktuara dhe janë në linjë me strategjitë zhvillimore të qeverisë shqiptare. Shtrirja gjeografike e projekteve prek pak a shumӫ gjithë vendin dhe ndërhyn në sektorë me një prioritet të lartë për secilën nga bashkitë e financuara.

Ndërtimi i qendrave funksionale për të rinjtë në Bashkinë e Shkodrës, Hasit dhe Këlcyrës; Krijimi i një strukture rezidenciale për të moshuarit në Bashkinë e Libohovës; Rikonstruksioni i teatrit në Bashkinë e Fierit, ndër më të vjetrit në Shqipëri, dhe pasurimin me ambiente të reja, ku të rinjtë e qytetit mund të kryejnë aktivitete rekreative. Në Bashkinë e Cërrikut do të financohet për krijimin e ambienteve të reja për prodhuesit e produkteve lokale bujqësore. NëBashkinë e Elbasanit dhe Fushë Arrëzit do të ndërhyet në rikonstruksionin rrënjësor të disa godinave shkollore, për t’u bërë të mundur nxënësve të atyre zonave kushte sa më dinjitoze. Në Bashkinë e Gramshit, do të mundësohet rikualifikimi i qëndrës së qytetit, ndërsa falë financimit të IADSA-s, Bashkia e Peqinit do të bëhet një nga bashkitë e para në Shqipëri ku godinat e insitucioneve publike nuk do të kenë barriera arkitektonike për njerëzit me aftësi të kufizuar mobiliteti. Së fundi, falë këtij programi për Zhvillim, i jepet zgjidhje problemit të strehimit të komunitetit rom në zonën e Shkozës, Tiranë, duke mundësuar banesa të përshtatshme me kushte normale jetese. Thirrja e pestë për projekte për 61 bashkitë e vendit pritet tӫ çelet në shtator 2016.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button