Maqedoni: Pritet rritja e interesit të kredive bankare
Ekspertët e ekonomisë në Maqedoni parashikojnë rritjen e normave të interesit për kreditë bankare. Sipas tyre, pas uljes së vlerësimit apo rejtingut kreditor, që ka bërë agjencia “Fitch Ratings”, çdo huamarrje në të ardhmen pritet të jetë shumë më e kushtueshme, duke paguar kamata shumë më të larta.
Ish- guvernatori i bankës popullore, Petar Goshev, thotë se Maqedonia tash e një vit është e detyruar që të marrë kredi me kamata gjithnjë e më të larta, dhe kjo, shton ai, vjen si rrjedhojë e krizës politike dhe thellimit të borxhit publik që ka shteti.
Goshev, si rrezik plotësues fokuson dhe faktin se bruto prodhimi vendor gjatë gjysmës së parë të vitit është më i ulët nga projeksioni i paraparë, që do të thotë se Maqedonia do të detyrohet edhe më shumë të marrë hua nga jashtë.
“Marrja e kredive gjithnjë e më të shtrenjta nga jashtë do të ketë pasoja në ekonominë e vendit dhe kjo në formë të drejtpërdrejtë do të reflektohet edhe në standardin e jetesës së qytetarëve”.
“Duke marrë parasysh faktin se Maqedonia, si shtet, kohën e fundit varet shumë nga marrja e kredive, atëherë kjo do të thotë se do të detyrohet të kthejë shuma më të mëdha të parave për vlerën e njëjtë të kredive. Njëkohësisht, ulja e rejtingut kreditor paraqet sinjal negativ për investitorët potencial”, thotë Goshev.
Ndërkaq, Arben Halili, ekspert i ekonomisë, vlerëson se ulja e rejtingut kreditor sipas agjencisë “Fitch Reatings” do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë negativ edhe në zhvillimin e biznesit në Maqedoni.
“Sigurisht se ulja e rejtingut kreditor për Maqedoninë si shtet do të paraqet një goditje të rëndë dhe për vet sferën e biznesit, për vet faktin se ka ndodhur në një situatë kur vetë shteti, respektivisht bankat komerciale, nuk do të jenë në gjendje të sigurojnë mjete të lira financiare për biznesin.”
“Do të ketë rritje të normave të interesit, përkatësisht kreditimi i biznesit do të bëhet me një kosto edhe më të lartë, dhe kjo nuk do të vlejë vetëm për bizneset, por me kosto më të lartë të kredive do të ndeshen edhe qytetarët gjatë sigurimit të kredive”,thekson Halili.
Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se Maqedonia në një situatë të këtillë duhet të fokusohet në kapacitetet energjetike me të cilat disponon dhe jo të vazhdojë me derdhjen e mjeteve nga buxheti në investime jokapitale për qëllime populiste. (REL)