Shqipëri, përfundon aksioni i Forcave të Armatosura për pastrimin e bregdetit

Ka përfunduar aksioni i Forcave të Armatosura “Bluzat e Bardha” për pastrimin e bregdetit shqiptar. Për 15 ditë me radhë mbi 2 mijë trupa të FA-së kanë bërë të mundur pastrimin e akseve kryesore rrugore dhe plazheve të jugut nga Vlora deri në Butrint, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar nga Ministria e mbrojtjes e Shqipërisë, bëhet e ditur se në këtë aksion janë angazhuar rreth 210 mjete të Forcave të Armatosura, të cilat kanë bërë të mundur transportimin e mbetjeve në vendgrumbnullimet e caktuara.

Në total nga efektivët e FA-së janë zhvendosur nga akset rrugore dhe vija bregdetare rreth 500 metër kub mbeturina dhe 160 ton inerte. Gjithashtu përgjatë gjithë ditëve të aksionit FA ka bërë të mundur pastrimin e rreth 220 km vijë bregdetare.

Në përfundim të punës, trupat pjesëmarrëse në këtë operacion i vizitoi zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi.

“Zv.ministri Koçi i falënderoi trupat për punën dhe përkushtimin me të cilin kanë vepruar këto ditë, duke i shërbyer komunitetit dhe pushuesve në të gjithë vijën bregdetare. Me këtë aksion kemi të bëjmë me një investim edhe kulturor, sepse ky aksion ndryshon raportin e shoqërisë me mjedisin dhe me pastërtinë. Është një element shumë i rëndësishëm për të pasur një turizëm të suksesshëm, për të pasur një Shqipëri të pastër, për të pasur një bregdet tërheqës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes

Koçi i bëri thirrje pushtetit vendor që të vazhdojë bashkëpunimin dhe të strukturojë instrumente aktivë për pastrimin e përhershëm të akseve rrugore të bregdetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button