Sulmi terrorist në Gaziantep, BE solidarizohet me Turqinë

Bashkimi Evropian pas sulmit terrorist në Gaziantep ka shprehur solidarizimin me Turqinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, bashkë me komisionerin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, kanë bërë një deklaratë të përbashkët në lidhje me sulmin terrorist në Gaziantep.

Në deklaratën ku thuhet se në shpërthimin e djeshëm u qëlluan gratë, meshkujt dhe fëmijët që dëfreheshin në një dasmë, janë shprehur ngushëllimet për familjet e personave që humbën jetën si dhe është uruar shërimi i shpejtë për të plagosurit.

Ndër të tjera teksa theksohet se Turqia është vendosur edhe njëherë në mënyrë dramatike në objektiv, qyteti Gaziantep është cilësuar si “simboli i dhimbjeve të mijëra personave që janë larguar nga lufta në Siri”.

Në deklaratë ndër të tjera thuhet: “Dhimbjet që lufta dhe terrorizmi ka shkaktuar janë dhimbje të tonat. Si BE shprehim dhimbjen dhe solidaritetin tonë me qeverinë, popullin e Gaziantepit dhe të gjithë Turqinë. Ne do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin që kemi me autoritetet turke në luftën dhe parandalimin e terrorizmit. Në këtë luftë të përbashkët jemi bashkë. Duhet që sigurinë, demokracinë dhe paqen ta ruajmë së bashku.”

Ndërsa komisioneri i BE-së për Emigrimin, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopulos, në një deklaratë në median sociale ka theksuar se dënojnë pa dallim në mënyrën më të ashpër sulmin dhe se së bashku janë kundër çdo lloji të terrorizmit.

Gjithashtu edhe anëtari përgjegjës i Komisionit të BE-së për ndihmat humanitare dhe krizat, Christos Stylianides, duke vënë në dukje se janë tmerruar përballë sulmeve të shëmtuara me objektiv dasmën, u shpreh se janë bashkë me ato që kanë humbur jetën, familjet e tyre dhe popullin turk.

Edhe Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, duke dënuar ashpër sulmin u shpreh: “Terroristët kanë përhapur vdekje dhe pikëllim në një vend ku festohet dashuria dhe jeta.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button