Kosovë, ndahet shpërblimi shtetëror për kampionen olimpike, Majlinda Kelmendi

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës në kabinetin e ministrit Kujtim Shala, sot organizoi ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve shtetërore për kampionen olimpike, xhudisten Majlinda Kelmendi dhe trajnerin Driton Kuka, e cila fitoi medaljen e parë të artë për Kosovën në Lojërat Olimpike në Rio, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalimin e tij, Ministri Shala uroi Kelmendin për këtë sukses historik, duke shprehur besimin se ky është fillimi i rezultateve të mëdha në skenën ndërkombëtare dhe botërore. Ai shtoi se presin edhe rezultate të tjera, si nga Kelmendi ashtu edhe nga sportistët e tjerë, të cilët duhet të vazhdojnë nga rruga e Kelmendit.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë bashkë me ju si deri tani, që do të thotë se ne do të ndihmojmë aq sa mundemi dhe që të mos ndërhyjmë asnjëherë në punë të organizimit dhe të funksionimit. Ndërkaq, ceremonia që po bëjmë sot dhe shpërblimet që merrni ju janë meritë e juaja dhe për ne vetëm një detyrim. Do të thotë kjo nuk është asnjë meritë e Qeverisë dhe e shtetit të Kosovës, kjo është meritë e punës dhe në bazë të ligjeve dhe rregullores do t’i merrni këto çmime”, u shpreh Ministri Shala.

Shala shtoi se edhe pse ndonjëherë në kushte jo të mira dhe jo të përshtatshme, Kelmendi dhe sportistët e Kosovës bëjnë atë që është maksimalja, me një vullnet që gjendet rrallë, e cila është shpresa e sportit të Kosovës.

Pas marrjes së shpërblimit nga ministri Shala dhe një mirënjohjeje nga nënkryetari i Ulqinit, Majlinda Kelmendi u shpreh se, përndryshe nga kthimi pas kampionatit të Evropës dhe të botës, me trajnerin e tij, Driton Kuka, nuk kanë folur aspak për përfitimet financiare.

“Kësaj radhe ka qenë krejt ndryshe, jemi gëzuar aq shumë për këtë medalje, sa që asnjë para nuk mund të bëj të ndihem si po ndihem me këtë medalje dhe me këtë sukses. Falënderoj ministrin dhe të gjithë njerëzit që më kanë përkrahur, mirëpo mendoj se kjo nuk është medalja ime e fundit e madhe, premtoj ende shumë punë”, u shpreh Kelmendi.

Ndërkohë, trajneri Driton Kuka falënderoi ministrin Shala, dhe ministrin paraprak të MKRS, Memli Krasniqin për përkrahjen e tyre. Ai shtoi se pas kësaj medaljeje të artë, së bashku me MKRS-në do të kenë një status më të ngritur. Kuka bëri të ditur se se në media të ndryshme botërore, fitimi i medaljes së artë nga Kelmendi është paraqitur si “Storja më e bukur e të gjitha Lojërave olimpike”.

Në bazë të rregullores për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulmore në garat ndërkombëtare, Kelmendi mori shpërblimin financiar në vlerë prej 100 mijë euro, ndërsa trajneri Kuka, 50 mijë euro. Ndërkaq, xhudistja Nora Gjakova, e cila ishte po ashtu pjesëmarrëse e lojërave olimpike në Rio, mori një shpërblim prej 5 mijë eurosh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button