Majlinda Kelmendi u eliminua nga Lojërat Olimpike që në duelin e parë
Majlinda Kelmendi ka dështuar ta tregojë suksesin që e arriti në Lojërat e kaluara Olimpike. Ajo në “Tokyo 2020” u mund që në raundin e parë nga xhudistja hungareze, Reka Pupp në kategorinë deri në 52 kilogramë, transmeron RTK.
Një waz-ari i marrë në shënim të artë, bëri që Kelmendit t’i ndalet synimi për të fituar një tjetër medalje olimpike.
Kështu, kampionia olimpike e Rio 2016, nuk arrin të vazhdojë tutje garat e xhudos në Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Dje, Distria Krasniqi e bëri atë që Majlinda e kishte bërë pesë vite më parë, e fitoi medaljen e artë olimpike.
Kujtojmë se edhe tre xhudistë kosovarë do të garojnë ditët në vijim. Bëhet fjalë për Nora Gjakovën, Akil Gjakovën dhe Loriana Kukën.
Ishte trajneri i saj, Driton Kuka që pas eliminimit të Majlindës bëri një shkrim emocionues.
“Krenaria e veprimtarisë time …Majlinda të falenderoj për jetë!Do jesh gjithmonë Kampione Olimpike, Botërore e Evropiane! Sot mos u hidhëro, puna e sakrifica, djersa e gjaku që ke derdhur për veten tande, për mua, familjet tona, popullin shqiptar tu ka shpërblyer gjatë karrierës. Mos u hidhëro se e arta e Disit është e të gjithë neve e ekipit tonë. Mos u hidhëro sot të lutem, kokën lartë se aq shumë gëzime i ke dhuruar popullit Shqiptar!Zoti të ka shpërblyer punën tande,lëndimet ishin sfida që aq shumë të munduan ty fizikisht e mua shpirtnisht.Kokën lartë Majlinda!Krenar me ty deri në frymën time të fundit”, shkroi Kuka në profilin e tij në Facebook.