U lançua programi “Kosova, shtet i xhudos”
Në Prishtinë është lançuar programi “Kosova, shtet i xhudos”, një kornizë strategjike të veprimit për pesë vite me vlerë prej 12 milionë eurove, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një tubim të mbajtur në Lapidarin e Muzeut të Kosovës në Prishtinë, të pranishëm ishin krerë institucionalë dhe përfaqësues të sportit të xhudos.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili mori pjesë në tubim bashkë me përfaqësues tjerë të institucioneve dhe me sportistë të xhudos, tha se ky program synon t’ua kthejë “borxhin” xhudistëve për të arriturat e tyre ndërkombëtare.
Kurti tha se sporti, e veçanërisht xhudoja, ka promovuar Kosovën në arenën ndërkombëtare. Ai tha se për herë të parë në Kosovë sporti po zë vend dhe po merr trajtim të merituar.
Programi “Kosova, shtet i xhudos” është program i hartuar nga Ministria e Sportit në bashkërendim me gjashtë institucione tjera relevante dhe me bashkëpunim të ngushtë me Federatën e Xhudos.
“Me këtë program po sigurohemi që xhudo të vazhdojë të mbetet kryefjala e suksesit të sportit vendor dhe arma jonë e fuqishme e promovimit ndërkombëtarë”, theksoi Kurti, i cili shtoi se tani duhet koordinim i institucioneve të sportit për zbatimin e këtij programi.
Kampionia olimpike, xhudistja Majlinda Kelmendi, tha se ky program do t’u mundësojë xhudistëve masovizim, kushte më të mira për stërvitje, avancim të trajnerëve të rinj dhe suksese të reja.
“Jam jashtëzakonisht e lumtur që sporti i xhudos më në fund po e merr vendin dhe trajtimin e duhur sepse ka tash e 15 vite që çdo qytetar i Kosovës mburret me sportin e xhudos”, theksoi Kelmendi.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, tha se suksesi botërorë i xhudos është i mahnitshëm. Ai tha se xhudoja Kosovës nga viti 2009 i ka sjellë 270 kualifikime, 199 medalje nga të cilat 85 të arta.
“Janë gjashtë qëllime kryesore të këtij programi. Përmirësimi i infrastrukturës fizike, fuqizimi i kapaciteteve trajnuese, masovizimi i sportit të xhudos, zhvillimi i skemës mbështetëse për trajnerët dhe sportistët elitarë, organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare sportive në Kosovë dhe promovimi ndërkombëtarë i shtetit të Kosovës”, theksoi Çeku.
Programi “Kosova, shtet i xhudos” u miratua gjatë ditës edhe në Qeverinë e Kosovës.
Kosova ka gjithsej tre medalje të arta olimpike, të gjitha në sportin e xhudos. Kosova fitoi medaljen e saj të parë olimpike në Lojërat Olimpike “Rio 2016” me Majlinda Kelmendin në kategorinë 52 kilogram për vajza. Në “Tokio 2020”, Kosova mori medaljen e artë po ashtu në kategorinë për femra me Distria Krasniqin 48 kilogram dhe Nora Gjakovën në 57 kilogram.