Në Shqipëri me disa aktivitete shënohet Dita Ndërkombëtare e Rinisë

Me rastin e 12 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, në Tiranë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në bashkëpunim edhe me disa institucione të tjera dhe organizata të shoqërisë civile kanë organizuar aktivitete të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Aktivitetet e sotme me moton “Rruga drejt 2030: Të zhdukim varfërinë dhe të arrijmë prodhim dhe konsum të qëndrueshëm” janë mbështetur edhe nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë UNFPA-Shqipëri, OSBE dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës.

Pedalimi me biçikleta ishte aktiviteti i parë që bashkoi të rinjtë të veshur me bluza me mesazhe për Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.

Në aktivitetin e organizuar në Qendrën Rinore në Tiranë, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi u shpreh se Dita Ndërkombëtare e Rinisë, kthen në vëmendje edhe një herë një temë e cila flitet në mbarë botën: Zhdukja e varfërisë dhe rritja e prodhimit të qëndrueshëm.

“Shumë shpejt në Tiranë, besoj në vjeshtën e këtij vitit do të shpalosim një axhendë të përbashkët rajonale të organizatave dhe strukturave rinore të cilat do të bëjnë të mundur që rinia shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi dhe kudo që të rinjtë shqiptarë ndodhen të jenë pjesë e një axhende evropiane rinore. Këto përpjekje të jenë përpjekje ashtu siç rinia i bën në të gjithë botën. Sot është një nga datat që ne duhet të dëshmojmë se jemi në të njëjtën axhendë me vendet e Bashkimit Evropian, me vendet që përfaqësojnë Kombet e Bashkuara dhe me të rinjtë në mbarë botën”, u shpreh Klosi.

Gjithashtu, pjesë e aktiviteteve ishte dhe aktiviteti letrar “Vishu me Dije” dhe koncerti me të rinjtë shqiptarë në Amfiteatrin e Liqenit Artificial në Tiranë.

UNFPA, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë zhvillon disa aktivitete duke theksuar rëndësinë që ka roli i të rinjve në mirëqenien e familjeve të tyre, komunitetit dhe kombit në tërësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button